Trendy

Dimal Basha sqaron akuzat: Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar asgjë që bie ndesh me vlerën e popullit tonë

Para 7 muaj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas akuzave të ngritura lidhur me një punim akademik të vitit 2012. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Basha thekson se autorësia e tij i përket vetëm Kapitullit 3 të artikullit, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.

“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë,” shkruan Basha.

Ai shton se edhe autorja e punimit, Jana Arsovska, ka sqaruar se Basha ka dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen e tij.

Basha thekson më tej:
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë.”

Ai ka kërkuar falje për qytetarët e shqetësuar nga raportimi i rremë dhe u ka bërë thirrje mediave që të raportojnë drejt dhe saktë për çështje kaq të ndjeshme, që lidhen jo vetëm me të personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës.

Trending