Ministrja e Financave, Gordana Dimitarieska-Koçoska, njoftoi se po ndërmerren hapa për forcimin e sistemit të Revizionit dhe kontrollit të fondeve publike, transmeton TV21.
Ajo theksoi se është avancuar bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Entit Shtetëror të Revizionit, me fokus në parandalimin dhe zbulimin e parregullsive, mashtrimeve dhe korrupsionit.
Për herë të parë në vend do të zhvillohet një provim kombëtar për marrjen e certifikatës për revizor të autorizuar të brendshëm në sektorin publik.
Sipas ministres, profesionalizimi i Revizionit do të kontribuojë në menaxhim më efikas, ligjor dhe të përgjegjshëm të fondeve publike.
Këto procese, siç thekson ajo, janë pjesë e reformave për forcimin e kontrollit financiar dhe përafrimin me standardet evropiane, në kuadër të Kapitullit 32 – Kontrolli Financiar.











