Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, vlerësoi sonte se është e papranueshme që Artan Grubi të ndodhet në arrest shtëpiak.
Në një paraqitje në TV Sitel, Dimitrievski theksoi se ZNAM ka marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët e koalicionit dhe se ende nuk ka biseduar me kryeministrin për rikonstruksionin e qeverisë, as për resorte apo emra konkretë.
Ai u shpreh absolutisht i kënaqur me dy ministrat e tij, atë të Drejtësisë dhe të Administratës Publike, të cilët, siç tha ai, janë maksimalisht të përkushtuar ndaj reformave.
Dimitrievski është i prerë se ZNAM nuk do të pranojë pjesëmarrje në një qeveri pjesë e së cilës do të ishte BDI-ja aktuale, e cila sipas tij është e pareformuar.
— “Qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit, ndërsa Maqedonia si shtet duhet të pozicionohet me shumë seriozitet përballë të gjitha sfidave dhe nuk guxojmë të shohim përsëritje (të skenarëve të vjetër). Për precedentin me Grubin, ministri dërgoi një mesazh të qartë te pushteti gjyqësor-prokurorial, sepse pamë një përsëritje të shumë rasteve të tilla nga e kaluara. Nëse keni një person që është arratisur nga shteti, ndërkohë ka raportuar se ka dalë për shëtitje dhe ju kthehet pas disa muajsh, është e papranueshme ta vendosni në arrest shtëpiak, ndërkohë që shihni njerëz të tjerë në paraburgim për kualifikime shumë më të vogla veprash penale,” porositi Dimitrievski lidhur me kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Filkov, që MPB dhe Agjencia për Siguri Kombëtare të japin informacion publik se si vlerësuan që Grubi nuk është i sigurt në paraburgim.
Sipas kryetarit të ZNAM, ka pasur një keqkuptim midis institucionit për mbajtjen e paraburgimit dhe shërbimeve të sigurisë, dhe për këtë ata duhet të japin një përgjigje të qartë, ndërsa ministri ka vepruar sipas kompetencave të tij.
— “Pamë vetëm një përsëritje – lojë tenisi para opinionit; gjykata u thirr në prokurori, ndërsa prokuroria në gjykatë. Grubi aktualisht është në arrest shtëpiak, rri në shtëpi dhe pi çaj. A pajtohet opinioni me një gjë të tillë apo jo? Nëse ne jemi një shtet që nuk mund të garantojmë sigurinë e një qytetari, atëherë vendoset një pikëpyetje e madhe nëse mund të garantojmë sigurinë e një individi që ka qenë në funksion. Kjo përgjigje është e papranueshme.
Grubi duhej të shkonte atje ku është e paraparë – në burgun hetues të Shutov Orizarit, por nuk dua të hyj në komentimin e vendimit gjyqësor. Në shtet duhet të ketë drejtësi edhe për Grubin, edhe për çdo individ tjetër. Grubi u arratis jashtë vendit për t’i dhënë vetes një pauzë prej 14 muajsh dhe u kthye.
Fillimisht prokurori ka propozuar dhe dorëzuar prova për vendimin e arrestit shtëpiak, këtu janë edhe shërbimet e sigurisë. Unë nuk kam qasje në dokumentacion, por ekzistojnë institucione si Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë që mund t’i marrin provat,” tha Dimitrievski.
Lidhur me zgjedhjet e mundshme të parakohshme, ai tha se kjo pyetje duhet t’i bëhet kryeministrit.










