Ministria e Shëndetësisë ka nisur një kontroll të gjerë për të identifikuar klinikat dhe mjekët që në mënyrë të jashtëligjshme kanë përfituar paga mbi 10,000 euro, veprime këto që mund të çojnë deri në përgjegjësi penale. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se tashmë i dinë emrat e institucioneve dhe personave të përfshirë, por do t’i bëjnë publikë sapo të përfundojë procesi hetimor.
”Mund t’ju them përqindjet: ka institucione që kanë tejkaluar limitin me 33%, 41% apo 26%. Kemi emrat e institucioneve, të punonjësve shëndetësorë dhe të drejtorëve. Po ashtu, do të kërkojmë të dhëna edhe nga institucionet private për të parë se sa kohë shpenzojnë atje punonjësit tanë në krahasim me shtetin. Është një proces me pengesa dhe po arrijmë te të dhënat me shumë mund”, deklaroi Aliu.
Për të ndaluar abuzimet, ministri Aliu njoftoi vendosjen e lexuesve të gjurmëve të gishtave (fingerprint) për stafin mjekësor. Ky sistem, i cili tashmë është testuar në dy klinika, do të vendoset fillimisht në Shkup e më pas në të gjithë vendin. Qëllimi është monitorimi i punës reale, pasi sipas ministrit, ka mjekë që kontrollojnë vetëm një pacient në javë dhe të tjerë që kontrollojnë mbi 100.










