Autoritetet greke kanë në dorë komunikime të regjistruara mes personave të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës që vepronte në ishullin e Mykonosit.
Nga bisedat e zbardhura rezulton se anëtarët përdornin shprehje të koduara gjatë komunikimeve për transaksionet. Mes tyre përmenden termat “lahmatjun”, “recetë sekrete” dhe “me ngjyrë”.
Në përgjime shfaqet edhe drejtuesi i dyshuar i organizatës, i cili diskuton me anëtarët për çmimet, klientët dhe zgjerimin e aktivitetit në ishull.
Në një prej bisedave, ai flet për synimin që grupi të forconte praninë në Mykonos dhe përdor një referencë ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
“Ne të gjithë do të punojmë dhe do të jemi të ligjshëm dhe do ta shihni. Ne do të mbajmë klientelën dhe gjithçka. Para se të vijë Erdogani, unë do ta pushtoj Mykonosin dhe do t’ia jap atij të gatshëm”, thuhet në bisedën e zbardhur.
Komunikimet tregojnë gjithashtu se grupi diskutonte çmimet e drogës. Në një rast, një person që transportonte lëndën narkotike njofton drejtuesin e dyshuar se disa gra amerikane kërkonin një produkt tjetër.
“Ky është një pesëdhjetë (150) pa zbritur”, përgjigjet drejtuesi i dyshuar, përpara se të shtojë: “Thuaji një tetëdhjetë (180), një pesëdhjetë (150)”.
Një tjetër element që del nga komunikimet është shqetësimi për kontrollet e autoriteteve greke. Drejtuesi i dyshuar paralajmëron bashkëpunëtorët për praninë e policisë dhe kontrollet në pikat hyrëse të ishullit.
“Gjërat janë bërë të egra këtu. Nuk dëgjon? Nuk sheh?”, dëgjohet të thotë ai.
Në një komunikim tjetër, ai paralajmëron se “portet, aeroportet janë shumë të rrezikshme” dhe se gjatë dy ditëve në vijim do të kishte kontrolle.











