Trendy

Dokumentet e CIA-s: Kiro Gligorovit i janë ofruar 100 milionë dollarë për ta ndryshuar emrin e Maqedonisë

Para 2 orë

Në vitin 1992, Greqia i ofroi presidentit të atëhershëm të Maqedonisë Kiro Gligorov 100 milionë dollarë në këmbim të ndryshimit të emrit të vendit, por ai e refuzoi propozimin, sipas një dokumenti të deklasifikuar së fundmi të CIA-s.

“(…) pavarësisht nevojës së madhe ekonomike të Maqedonisë, Gligorov refuzoi një ofertë private nga zyrtarët grekë prej 100 milionë dollarësh ndihmë financiare me kusht që emri të ndryshohej”, thuhet në dokument, i cili daton më 6 nëntor 1992 dhe u botua në faqet e bibliotekës dixhitale të dokumenteve të deklasifikuara të CIA-s në janar të këtij viti.

Në kujtimet e tij, “Maqedonia është e tëra çfarë kemi”, Gligorov nuk e përmend këtë informacion, por ndan një tjetër, përkatësisht se atij personalisht iu ofrua një ryshfet prej 1 milion dollarësh nga ndërmjetës grekë për të rënë dakord për ndryshimin e emrit të shtetit, por ai e refuzoi atë.

Dokumenti i CIA-s e përshkruan Gligorovin si një “burrë shteti veteran dhe reformator” i cili “ka punuar vazhdimisht për të balancuar forcat kundërshtare në republikën e tij dhe në të gjithë Ballkanin”. “Ata e përshkruajnë atë si një ‘dhelpër të vjetër të urtë’ që i impresionoi me ndjenjën e tij të strategjisë dhe njohuritë e detajeve”.

Dokumenti thotë se Gligorov i konsideronte presidentët serb dhe kroat, Slobodan Millosheviq dhe Franjo Tuxhman, përgjegjës për krizën në Jugosllavi. Thuhet se Gligorovi i hodhi poshtë ofertat e Millosheviqit për të formuar “një aleancë me mbetjen e shtetit jugosllav të dominuar nga serbët”, por u tërhoq nga plani i kryeministrit Milan Paniç për një bashkim ekonomik ballkanik (i cili, sipas Gligorovit, duhet të kishte përfshirë Greqinë dhe Turqinë).

“Presidenti thotë se dëshiron të mbetet në politikë derisa demokracia të vendoset fort – qëllim që kërcënohet nga tensionet e vazhdueshme midis pakicës së madhe shqiptare dhe Organizatës ultranacionaliste të brendshme revolucionare maqedonase – Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas (OBRM-PDUKM ose VMRO-DPMNE)”, thuhet në dokumentin e CIA-s.

Ndryshe, Kiro Gligorov ishte presidenti i parë i Maqedonisë së pavarur. Ai u zgjodh nga Kuvendi më 27 janar 1991 dhe e udhëhoqi vendin deri në vitin 1999. Ai vdiq më 1 janar 2012.

Ndaj tij u krye edhe një atentat më 3 tetor të vitit 1995 në ora 9:50 në rrugën “Maqedonia” para hotelit “Bristol” në Shkup, kur Gligorov me automjet zyrtar ka lëvizur nga rezidenca e tij në vendin e punës në Kuvend.

Në vendin e atentatit ndërroi jetë shoferi i tij Aleksandar Spirovski, ndërsa ishte lënduar edhe truproja e tij, Ilço Teovski. Si pasojë e lëndimeve, ndërroi jetë edhe kalimtari i rastit Hristo Hristomanov, ndërsa u lënduan edhe Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski.

Hetimi konfirmoi se atentati ka qenë mirë i përgatitur dhe organizuar. Mbetet e panjohur se kush qëndronte pas atentatit, ndërsa procedura hetuese e cila zhvillohet kundër një autori të panjohur ende është e hapur.

 

 

Trending