Trendy

Donald Trump na “dhuroi” një regjim më gjakatar në Iran

Para 2 javë

Donald Trump po përpiqet ta shesë krizën iraniane si sukses strategjik. Ai thotë se SHBA nuk e kishte “qëllim” ndryshimin e regjimit, por se ndryshimi ka ndodhur gjithsesi, sepse kupola e vjetër u vra dhe në krye kanë dalë njerëz të tjerë. Paralelisht, ai ka deklaruar se udhëheqja e re është “më pak radikale” dhe “më e arsyeshme”. Por problemi është se faktet që vijnë nga terreni tregojnë pothuajse të kundërtën: jo një Iran më të butë, por një Iran më ushtarak, më paranoik dhe më brutal.

Këtu qëndron mashtrimi i madh politik. Ndryshimi i regjimit nuk është thjesht ndërrim fytyrash në majë të piramidës. Ndryshim regjimi do të thotë ndryshim i sistemit të pushtetit, i mënyrës si qeveriset vendi, i raporteve mes shtetit, ushtrisë, klerit dhe shoqërisë. Asgjë e tillë nuk duket se ka ndodhur në Iran. Përkundrazi, raportimet serioze flasin për forcim të elementit më të fortë dhe më të errët të sistemit: Gardës Revolucionare dhe rrjetit të saj represiv.

Trump mund ta quajë këtë “regime change” sa herë të dojë. Në realitet, ajo që është prodhuar deri tani ngjan më shumë me një mutacion të regjimit, jo me rrëzimin e tij. Dhe ky mutacion nuk shkon drejt moderimit. Shkon drejt militarizimit të plotë të pushtetit.

Marco Rubio, që është shumë më i kujdesshëm se presidenti, pranoi publikisht se në Iran ka “çarje të brendshme”, por shtoi se Uashingtoni duhet të përgatitet për mundësinë, madje edhe probabilitetin, që udhëheqja e re të mos jetë aspak më e arsyeshme.

Pra, edhe brenda administratës amerikane nuk ekziston siguria që Trump përpiqet të shesë para kamerave.

Nëse i heq propagandën, mbetet një përfundim i hidhur: eliminimi i figurave të vjetra nuk e zbuti Republikën Islamike; e shtyu atë të mbyllet edhe më fort.

Analistët e cituar nga mediat amerikane dhe ‘think tank’-et paralajmërojnë se struktura e re është më pak e prirur për kompromis dhe më e lidhur hapur me IRGC-në. Kjo do të thotë më pak hapësirë për diplomaci, më shumë instinkt mbijetese dhe më shumë dhunë ndaj kujtdo që shihet si kërcënim i brendshëm.

Dhe këtu del ana më cinike e kësaj historie. Trump në fillim foli si njeri që po i hapte rrugë “çlirimit” të iranianëve. Por një regjim i goditur nga jashtë, i plagosur dhe i frikësuar, zakonisht nuk liberalizohet. Ai radikalizohet. Ai shtrëngon grushtin. Ai sheh tradhtarë kudo. Pikërisht këtë po shohim sot: reprezalje më e fortë ndaj protestave, ekzekutime, arrestime të disidentëve, zgjerim të censurës dhe kontroll më të ashpër mbi internetin. Pra, jo çlirim të shoqërisë, por burgosje më të thellë të saj.

Ka edhe një ironi më të madhe. Lufta që supozohej të dobësonte kërcënimin iranian mund t’i japë regjimit argumentin final për të ndjekur armën bërthamore. Kur një elitë ushtarake sheh se është e rrethuar, e goditur dhe e prekshme, tundimi për të siguruar “garancinë e fundit” bëhet më i fortë.

Analistët po thonë hapur se Teherani mund të nxjerrë mësimin e Koresë së Veriut: askush nuk guxon të të prekë, kur ke bombën. Nëse kjo logjikë fiton brenda Gardës Revolucionare, atëherë Trump nuk do të ketë dobësuar rrezikun; do ta ketë shtyrë atë në një fazë më të rrezikshme.

Po aq i rrezikshëm është edhe efekti rajonal. Një Iran më i egër, edhe pse i dëmtuar ushtarakisht, nuk bëhet automatikisht më i padëmshëm. Ai mund të bëhet më hakmarrës, më asimetrik dhe më i paparashikueshëm. Mund të përdorë më shumë milicitë, sabotimin, luftën hibride, shantazhin energjetik dhe destabilizimin e korridoreve detare. Kjo do të thotë se triumfalizmi i Trump nuk premton paqe. Premton një Lindje të Mesme edhe më nervoze, ku rendi zëvendësohet nga improvizimi dhe hakmarrja.

Në planin moral, ky është dështimi më i madh i narrativës trumpiste. Nuk mund të flasësh për “Iran më të arsyeshëm”, ndërsa në terren po konsolidohet një aparat që i përgjigjet frikës me pushkë, protestës me varje, dhe debatit publik me ‘blackout’ dixhital. Nuk mund ta quash fitore një zhvillim që e lë popullin iranian më të pambrojtur ndaj shtetit të vet. Dhe nuk mund ta paketosh si “ndryshim regjimi” faktin që në krye të të njëjtit sistem po ngjitet krahu më i sertë i tij.

Në fund, historia mund të përmblidhet kështu: Trump nuk i “dhuroi” Iranit një regjim të ri. Ai i dhuroi një justifikim të ri regjimit të vjetër për t’u bërë edhe më gjakatar. Dhe kjo është ndoshta forma më e rrezikshme e dështimit perëndimor në Lindjen e Mesme: kur flet në emër të ndryshimit, por në të vërtetë ushqen përbindëshin që pretendon se po lufton./Pamfleti

Trending