Trendy

Dosja për zjarrin tragjik në kabarenë “Puls” transferohet në Gjykatën Penale të Shkupit

Para 9 muaj

Gjykata Themelore e Koçanit ka dorëzuar në Gjykatën Penale të Shkupit dosjen e aktakuzës për zjarrin tragjik në kabarenë “Puls”, ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Ky vendim vjen pas aktvendimit të Gjykatës Supreme, e cila caktoi Shkupin si gjykatën kompetente për këtë lëndë, duke konstatuar se gjykatat e Shtipit dhe Strumicës nuk kanë numër të mjaftueshëm gjykatësish penalistë për ta trajtuar çështjen.
Sipas Gjykatës Penale, pas pranimit të lëndës, sistemi AKMIS do të përcaktojë automatikisht gjyqtarin që do ta trajtojë, ndërsa më pas ajo do t’i dorëzohet Këshillit për vlerësimin e aktakuzës. Pas vlerësimit fillestar, materialet do t’u dorëzohen të akuzuarve, duke shënuar fillimin e afateve ligjore për paraqitjen e ankesave.
Në këtë rast, të akuzuar janë gjithsej 37 subjekte – 34 persona fizikë dhe 3 juridikë, përfshirë pronarë, menaxherë, inspektorë dhe zyrtarë të përfshirë në funksionimin e paligjshëm të objektit. Ata ngarkohen kryesisht për vepra të rënda penale ndaj sigurisë së përgjithshme, ndërsa një person akuzohet për ryshfet, lidhur me manipulimin e dokumentacionit dhe licencave, që mundësuan funksionimin e kabare-së si objekt i rregullt publik.
Tragjedia në kabarenë “Puls” është cilësuar si një nga fatkeqësitë më të rënda urbane në vend, ndërsa transferimi i lëndës në Shkup shihet si hap vendimtar drejt fillimit të një procesi gjyqësor të rëndësishëm që pritet të ndriçojë përgjegjësitë institucionale dhe individuale që çuan në këtë humbje masive jete.

Trending