Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 21 shkurtit në Tetovë, ku një i mitur 16-vjeçar nga fshati Sllatinë është arrestuar pasi ka drejtuar automjetin pa leje dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë.
Rreth orës 23:00, në rrugën lokale drejt fshatit Setolë, policia ka ndaluar një automjet “Mercedes” me targa të Tetovës, të cilin e drejtonte i mituri pa patentë shoferi.
Sipas informacioneve, më herët në fshatin Neproshten, i njëjti gjatë tentativës për t’u ndalur nga policia e Tearcës, ka lëvizur me shpejtësi të madhe, ka goditur një dollap elektrik të EVN-së dhe ka tentuar të përplasë zyrtarët policorë.
Ndaj tij po ndërmerren masa sipas neneve 297-a dhe 288 të Kodit Penal. I mituri po mbahet në stacion policor bashkë me automjetin, ndërsa pas dokumentimit të rastit do të ngrihet procedurë përkatëse.










