Trendy

Drejtori Ameti flet për vajzën 16-vjeçare të shpëtuar nga dhuna

Para 9 muaj

Pas një thirrjeje zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme drejtuar Ekipit të Specializuar pranë Qendrës për Punë Sociale Shkup, është ndërmarrë një aksion urgjent lidhur me një rast dhune në familje, ku viktimë ishte një vajzë 16-vjeçare.

Sipas informacioneve zyrtare, nga ana e MPB-së dhe e mjekëve kompetentë është konstatuar se bëhet fjalë për dhunë nga prindi ndaj fëmijës, me pasoja të dukshme trupore të dokumentuara edhe mjekësisht. Gjithashtu, është konstatuar se vajzës i ishte penguar vazhdimi i arsimit të mesëm nga ana e nënës së saj.

Menjëherë pas konstatimit, vajza është larguar përkohësisht nga ambienti i dhunshëm dhe është vendosur në një familje kujdestare, në përputhje me aktin juridik për mbrojtje të përkohshme. Gjatë kësaj periudhe, Qendra për Punë Sociale po punon paralelisht me prindin dhe fëmijën në mënyrë këshillimore dhe mbështetëse, me qëllim rehabilitimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve familjare, si dhe përforcimin e kapaciteteve prindërore.
Nëna e vajzës është ftuar në Qendër më 29 janar, ku është njohur në detaje me procedurat ligjore dhe ndërhyrjet që janë bërë. Ndërkohë, më 2 shkurt 2025, janë zhvilluar seanca profesionale dhe metodologjike me viktimën dhe motrat e saj për të vlerësuar gjendjen dhe nevojat e tyre.

Qendra për Punë Sociale ka dorëzuar masa të propozuara për mbrojtjen e viktimës në Gjykatën Themelore Civile, dhe aktualisht pritet vendimi i saj. Për arsye sigurie, lokacioni i të miturës nuk bëhet i ditur për publikun. “Kompetenca jonë është të mbrojmë fëmijët që janë viktima të dhunës në familje. Qendra nuk ka për qëllim ndarjen e fëmijës nga prindi, por garantimin e një mjedisi të sigurt për të miturit. Ne veprojmë në mënyrë profesionale, jo emocionale. Për çdo dhunë ndaj fëmijëve, përgjegjësia bie mbi prindërit”, ka deklaruar drejtori i Qendrës për Punë Sociale Shkup, Hamza Ameti.

Trending