Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka kritikuar atë që ajo e sheh si mungesë konsiderate për viktimat e përmendura në dosjet Epstein, shumë prej të cilave ishin të mitura.
Në episodin më të fundit të podcastit të saj “Service 95”, të publikuar të dielën, këngëtarja e pop-it riktheu në vëmendje temën e miliarderit të ndjerë dhe të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, gjatë një bisede me të ftuarën e saj, autoren Roxane Gay.
“Mënyra se si janë raportuar krimet dhe gjuha që është përdorur, ka qenë shumë e padrejtë ndaj të gjitha viktimave”, ka deklaruar Dua në fillim të podcastit.
“Vazhdoj të mendoj për të gjitha ato histori që flasin për vajza të mitura dhe festa seksuale, në vend që të shkruajnë për viktimat që ishin fëmijë të trafikuar”, ka vazhduar ajo.
“Po vendoset gjithçka nën një lloj perdeje për të mbrojtur, nuk e di kë, (ndoshta) lexuesin, ose për të maskuar atë që po ndodh”, ka shtuar këngëtarja.
Jeffrey Epstein vdiq në një burg të New Yorkut më 10 gusht të vitit 2019, ndërsa priste gjykimin për trafikim seksual. Para kësaj, ai kishte kaluar 13 muaj në burg për kërkim prostitucioni nga një e mitur.
Sipas Lipës, pjesa më e madhe e diskutimit lidhur me publikimin më 30 janar të miliona dokumenteve që lidhen me krimet e Epsteinit është përqendruar te emrat e famshëm që kishin lidhje me të dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, e cila aktualisht po vuan një dënim prej 20 vitesh burgim për rolin e saj në këtë rrjet, dhe jo te vetë viktimat.
Presidenti Donald Trump, ish-presidenti Bill Clinton, Elon Musk, Bill Gates dhe Princi Andrew janë përmendur në dokumente, megjithëse të gjithë kanë mohuar çdo shkelje në lidhje me Epstein.
Në botën e muzikës, Casey Wasserman së fundmi shiti agjencinë e tij të talenteve, e cila përfaqësonte artistë si Chappell Roan, Orville Peck dhe Gigi Perez, të cilët u larguan nga kompania pas publikimit të email-eve të vitit 2003 midis Wasserman dhe Maxwell që u bënë pjesë e dosjeve Epstein.
Dua Lipa nuk është tërhequr kurrë nga diskutimi i çështjeve të vështira politike. Prej vitesh ajo ka folur hapur për popullin palestinez dhe krizën humanitare në Gazë.










