Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka njoftuar se po realizohet një tjetër premtim i rëndësishëm infrastrukturor, me vazhdimin e punimeve për autostradën Shkup–Bllacë.
“Po e kthejmë në realitet një tjetër premtim. Autostrada Shkup–Bllacë po bëhet! Ky projekt strategjik përfshin 12 kilometra rrugë moderne, 5 tunele, 2 galeri, 12 ura dhe gjithsej 40 objekte infrastrukturore që do ta bëjnë këtë autostradë realitet dhe do ta afrojnë Shkupin me Prishtinën më shumë se kurrë më parë”, ka deklaruar Durmishi.
Ai theksoi se investimet në infrastrukturë nënkuptojnë zhvillim ekonomik, lidhje më të shpejtë ndërmjet qytetarëve dhe krijim të mundësive të reja për bizneset dhe rajonin.
“Le ta gëzojnë qytetarët këtë projekt të rëndësishëm, ndërsa sihariqet e mira nuk kanë fund”, ka porositur ministri Durmishi.










