Trendy

Durmishi: Mbi 40 milionë euro për vende të reja pune, sipërmarrësi dhe trajnime

Para 3 orë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e saj të fundit,  miratoi Planin operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2026, me të cilin sigurohen mbi 2,4 miliardë denarë, ose më shumë se 40 milionë euro, për të mbështetur punësimin, sipërmarrësinë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Në konferencën e sotme për media, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi dhe drejtori i Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Adnan Ejup, prezantuan masat dhe programet e parashikuara me Planin, i cili sivjet do të përfshijë më shumë se 10.000 qytetarë.

Ministri Durmishi theksoi se Plani operativ paraqet një nga politikat më të rëndësishme ekonomike dhe sociale të Qeverisë, që synon krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e të rinjve, zhvillimin e sipërmarrësisë dhe sigurimin e përfshirjes më të madhe të kategorive të rrezikuara të qytetarëve në tregun e punës.

“Me këtë plan, investojmë drejtpërdrejt në njerëzit. Sigurojmë mbështetje konkrete për të rinjtë që duan të fillojnë biznesin e tyre, për kompanitë që hapin vende të reja pune, për personat që kanë nevojë për shkathtësi dhe kualifikime të reja, si dhe për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve. Qëllimi ynë është që rritja ekonomike të përkthehet në mundësi të reja pune dhe standard më të mirë jetese”, theksoi ministri Durmishi.

Theks i veçantë në Planin operativ është vënë në zhvillimin e sipërmarrësisë dhe vetëpunësimit. Për këtë dedikim është parashikuar mbështetje për mbi 2.000 persona përmes masave të vetëpunësimit, duke përfshirë të rinjtë deri në 29 vjeç, personat mbi 29 vjeç dhe bashkimin e përdoruesve në shoqëri tregtare. Përmes këtyre masave, sigurohen grante deri në 615.000 denarë për themelimin e biznesit të tyre, si dhe mbështetje deri në 1.230.000 denarë për bashkimin e disa përdoruesve në biznes të përbashkët. Me këto mjete, Qeveria investon drejtpërdrejt në hapjen e kompanive të reja, nxitjen e frymës sipërmarrëse dhe krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht në mesin e të rinjve, si dhe mjete për praktikë, trajnime për profesione deficitare, punë publike, ekonomi të kujdesit dhe shtesë për të rinjtë.

Sivjet vendosen masa të reja, duke përfshirë programin për trajnimin dhe angazhim me punë të zjarrfikësve, masë-pilot për vlerësimin e kualifikimeve profesionale të personave të papunë, si dhe masë-pilot për kualifikimet profesionale në fushën e transportit dhe automjeteve të rënda transportuese, në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Bartës i Planit operativ është Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa implementimin e tij do ta zbatojë Agjencia e Punësimit e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët kompetentë.

Me Planin operativ për vitin 2026, Qeveria vazhdon me politika aktive për nxitjen e punësimir, mbështetjen e ekonomisë vendore dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe standard më të lartë jetese për qytetarët.

Trending