Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, ka njoftuar se Maqedonia e Veriut është shpërblyer me rreth 2.5 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, për zbatim të suksesshëm të reformave për përballje me ekonominë joformale.
Durmishi thotë se janë arritur rezultate të prekshme falë punës së institucioneve si Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Sukses konkret për Maqedoninë e Veriut! Komisioni Evropian ka vlerësuar Maqedoninë e Veriut si vend që ka zbatuar plotësisht dhe me sukses reformën për përballjen me ekonominë informale, duke e shpërblyer me rreth 2.5 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së”.
“Falë punës së palodhshme të institucioneve tona Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, kemi arritur rezultate të prekshme: 16.464 inspektime – 242% më shumë se synimi fillestar; 543 punëtorë të paregjistruar të evidentuar; 18 operatorë ekonomikë të paregjistruar të mbyllur; Digjitalizim dhe qasje moderne të bazuar në menaxhimin e rrezikut”- theksoi ai.
Ai ka shtuar se bashkë me partnerët evropianë, do të ndërtojnë ekonomi të drejtë.
“Ky është vlerësim i qartë nga Komisioni Evropian se reformat tona po japin rezultate të qëndrueshme, në përputhje të plotë me standardet evropiane. Bashkë me partnerët tanë evropianë, do të vazhdojmë të ndërtojmë një ekonomi të drejtë, konkurruese dhe formale në të mirë të qytetarëve dhe bizneseve tona”, ka shkruar Durmishi.










