Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftoi se, me propozimin e saj, gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Penale të Shkupit i ka caktuar paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh Stojançe Jovanovskit, bashkëshortja e të cilit, Ivana Jovanovska, së bashku me vajzën e tyre gjashtëvjeçare, u hodhën nga një ndërtesë në lagjen Taftalixhe, shkruan gazeta KOHA.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se ndaj të dyshuarit ekzistojnë dyshime për kryerjen e veprave penale “lëndim trupor” nga neni 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, “rrezikim i sigurisë” nga neni 144 paragrafi 3 në lidhje me paragrafët 2 dhe 1, si dhe “nxitje në vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje” nga neni 128 paragrafi 4 i Kodit Penal.
“Masa e paraburgimit është e domosdoshme me qëllim ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për sigurimin e provave në lidhje me dyshimet”, njoftuan nga Prokuroria.
Jovanovski, sipas dëshmive të shumta dhe informacioneve që sot u konfirmuan nga institucionet, prej vitesh i kishte ekspozuar bashkëshorten dhe vajzën ndaj dhunës fizike dhe psikologjike, të cilën as policia dhe as shërbimet sociale nuk kishin arritur ta ndalonin.
Ivana edhe dje, vetëm dy orë para tragjedisë, e kishte denoncuar në polici bashkëshortin për sulm në bulevardin “Goce Delçev”, pranë kompleksit të gjykatave, konfirmuan nga MPB-ja. Policët kanë biseduar me gruan, por ajo u ka thënë se nuk kishte pasur konflikt dhe ka nënshkruar deklaratë se e tërheq kallëzimin, njoftojnë nga MPB-ja. (koha.mk)










