Trendy

Dy raste të malaries u identifikuan në Maqedoni, personat kishin udhëtuar në Zanzibar dhe Sierra Leone!

Para 1 orë

Dy raste të malaries u regjistruan në Maqedoni në shkurt, tek persona nga Kumanova dhe Shkupi, të moshës 40 deri në 60 vjeç, pas udhëtimeve në Zanzibar dhe Sierra Leone. Të dy u trajtuan në spital dhe u larguan në gjendje të mirë të përgjithshme, gjë që tregon se infeksioni u njoh në kohë, por edhe se rreziku i sëmundjeve të tilla nuk mbaron në pistën e aeroportit, transmeton Portalb.mk.

Këto raste nuk nënkuptojnë përhapje lokale të malaries, por janë një paralajmërim i qartë se udhëtimi në zonat afrikane dhe zona të tjera endemike mbart rreziqe shëndetësore që nënvlerësohen lehtësisht. Malaria është sëmundje parazitare që transmetohet më shpesh përmes pickimit të një mushkonje të infektuar, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se simptomat e para zakonisht shfaqen 10 deri në 15 ditë pas infeksionit. Më të zakonshmet janë ethet, dhimbja e kokës dhe të dridhurat, dhe pa trajtim në kohë sëmundja mund të zhvillohet në një formë të rëndë dhe kërcënuese për jetën.

Në një vend si Maqedonia, ku malaria nuk është endemike, janë pikërisht udhëtarët ata që janë hallka më e dobët e sigurisë në sistem. Simptomat mund të ngatërrohen lehtësisht me gripin, një virus ose thjesht lodhjen e udhëtimit, duke e bërë testimin e hershëm thelbësor. Sidomos pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) theksojnë se tek njerëzit që vijnë nga zona jo-endemike, sëmundja mund të përparojë me shpejtësi nëse nuk njihet në kohë.

Rasti i dy pacientëve është, pra, më shumë sesa një lajm i shkurtër shëndetësor. Ai ngre pyetje të vjetër, por shpesh të anashkaluar: nëse qytetarët që udhëtojnë në zona rreziku marrin informacion të mjaftueshëm të qartë në lidhje me parandalimin, mbrojtjen dhe nevojën për kontrolle të shpejta mjekësore pas kthimit. Në një kohë kur udhëtimi është i zakonshëm, infeksionet e importuara po bëhen pjesë e realitetit shëndetësor vendas, jo një përjashtim që i ndodh dikujt tjetër.

Trending