Trendy

Dy shkollat e reja në Tetovë presin pranverën

Para 2 muaj

Urim HASIPI
Ndërtimi i dy objekteve të reja shkollore të Shkollës Tekstile dhe Gjimnazit “7 Marsi” zhvillohet pa pengesa dhe realizimi shkon sipas dinamikës së paraparë. Momentalisht, punimet janë ndërprerë për shkak të kushteve klimatike dhe do të vazhdojnë me ngritjen e temperaturave. Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se nuk ka ngecje dhe punimet janë zhvilluar në bazë të projektit dhe konform afateve.

“Në Tetovë janë duke u realizuar disa projekte në bashkëpunim ndërmjet qeverisë dhe Komunës së Tetovës. Në mesin e këtyre objekte është edhe ndërtimi i dy objekteve në parcelën e shkollës së mesme ku bëhet ndërtimi i objektit të ri të Shkollës së Mesme Tekstile dhe objekti i ri i Shkollës së Mesme Gjimnazi ‘7 Marsi’. Punimet po zhvillohen në bazë të planit dhe me një dinamikë shumë të shpejtë. Momentalisht, për shkak të kushteve atmosferike dhe temperaturave të ulëta, punimet janë ndërprerë dhe sa të krijohen kushte më të mira klimatike, me ngritjen e temperaturave, punimet do të vazhdojnë dhe besojmë se objektet do të përfundojnë në afatin e paraparë, pra në vitin 2027”, deklaroi Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit të Arsimit në Tetovë.

Në ndërkohë, nxënësit e Shkollës Tekstile mësimin e vazhdojnë në objektin e Shkollës Fillore “Besa” në Reçicë të Vogël. Atje mësimi zhvillohet pa probleme.

“Deri në përfundimin e gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2025/26, nuk kemi pasur probleme. Kemi pasur rotacion, nëse vitet e para dhe të dyta kanë ndjekur mësimin online, vitet e treta dhe të katërta mësimin e kanë ndjekur me prezencë fizike. Pastaj, pas një muaji bëhet rotacioni, ashtu që vitet e treta dhe të katërta mësimin e ndjekin online kurse vitet e para dhe të dyta mësimin e ndjekin me prezencë fizike. I tërë procesi mësimor është zhvilluar pa asnjë problem, pa asnjë ngecje, apo pengesë dhe ky proces do të vazhdojë ku nxënësit e Shkollës së Mesme Tekstile ndjekin procesin edukativo-arsimor në objektin e Shkollës Fillore ‘Besa’ në Reçicë të Vogël”, deklaroi Dauti.

Këta nxënës do të vazhdojnë të shkojnë në këtë shkollë fillore deri në përfundimin e objektit të ri, ndërsa më pas do të transferohen në objektin e ri. Me fillimin e punëve për ndërtimin e këtyre dy objekteve, nxënësit e Shkollës Tekstile tashmë mësimin e ndjekin në Reçicë të Vogël. Në ndërkohë, në vendin ku ishte Shkolla e Mesme Tekstile do të ndërtohet edhe objekti i ri për Shkollës e Mesme Gjimnazi “7 Marsi”. Objekti i Gjimnazit “7 Marsi” transferohet në këtë pjesë të Tetovës, për shkak se aktualisht është në periferi të qytetit dhe kjo shihet si një nga arsyet kryesore që ka rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve që regjistrohen. (koha.mk)

Trending