Trendy

Dy shqiptarë mes tyre, zbulohet rrjeti i burrave që filmonin fshehurazi gratë natën dhe i publikonin videot për para

Para 2 orë

Një hetim i BBC ka zbuluar një rrjet burrash që filmonin fshehurazi gratë gjatë daljeve të natës dhe më pas fitonin para duke i publikuar videot e tyre në internet. Në mesin e tyre, janë edhe dy vëllezër shqiptarë, Florjan dhe Roland Reka, përcjell Reporteri.net.

Videot, që shpesh përshkruhen si “ture ecjeje” ose “përmbajtje jete nate”, publikohen në YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram. Ato përqendrohen pothuajse tërësisht te gratë me fustane dhe funde, shumë prej tyre të filmuara nga mbrapa ose nga kënde të ulëta, duke zbuluar ndonjëherë pjesë intime të trupit.

BBC ka gjurmuar rreth 50 gra që ishin filmuar dhe ka zbuluar se shumë prej tyre nuk ishin në dijeni të asaj që kishte ndodhur. Ato shprehën ndjenja frike dhe poshtërimi.

Një grua 21-vjeçare, e cila ishte filmuar nga një kënd i ulët që i zbulonte nën fund, tha se ishte ndikuar aq shumë nga fakti që pamjet e saj ishin publikuar pa pëlqimin e saj, saqë tani ndihet paranojake sa herë që del nga shtëpia.

BBC-ja ka identifikuar më shumë se 65 kanale online me këtë lloj përmbajtjeje, videot e të cilave janë parë së bashku më shumë se tre miliardë herë gjatë tre viteve të fundit. Videot fokusohen në daljet e natës në qytete të mëdha anembanë botës, përfshirë Londrën, Oslon, Miamin dhe Bangkokun – por një nga vendndodhjet më të njohura është Manchesteri.

Ekipi ka vepruar në fshehtësi në qytet, duke filmuar burra teksa regjistronin fshehurazi gratë gjatë një nate jashtë, duke ekspozuar disa nga operatorët më aktivë, të lidhur me 12 llogari. Mes tyre kishte një shofer taksie vendas dhe dy burra që kishin udhëtuar nga Suedia për të filmuar në Mbretërinë e Bashkuar. Dy burra të tjerë, kanalet e të cilëve pretendojnë se janë të bazuara në Norvegji dhe Monako, u panë duke filmuar, por identitetet e tyre nuk kanë arritur t’i konfirmojnë.

Ishte fundi i tetorit të vitit të kaluar, kur Grace ndodhej jashtë një klubi në Manchester duke bërë foto me telefonin e saj ndërsa festonte ditëlindjen e 21-të të shoqes. Me to ishte edhe motra e saj më e vogël, Sophie(emër i ndryshuar). Ajo sapo kishte mbushur 18 vjeç dhe ishte hera e parë që dilte në klube në qytet.

“Ishte një natë normale,” thotë Grace. “Nuk kishim absolutisht asnjë ide që po na filmonin.”

Vetëm pasi u kontaktua nga BBC, ajo zbuloi se një video e atij momenti ishte publikuar në YouTube. Pamjet që i zbulonin pjesën poshtë fundit ishin parë më shumë se tre milionë herë nga të panjohur në internet.

“E kisha planifikuar me kujdes veshjen time,” kujton Grace. “Nga niveli i syve gjithçka ishte e mbuluar. Por këndi i pamjeve ishte më i ulët. Kjo më bëri të mendoj: sa afër ishte ai?”

Edhe Sophie shfaqej në video, por nuk ishte në qendër të vëmendjes. Ajo thotë se, ashtu si motra e saj, tani është “plotësisht paranojake” për shkak të asaj që u ndodhi.

“Nuk kam dalë më, sepse jam thjesht e frikësuar,” thotë ajo. “Kjo nuk është normale. Nuk duhej të kishte ndodhur.”

Kanali që publikoi videon e Grace dhe Sophie drejtohet nga një burrë që BBC e ka identifikuar si Florjan Reka, 35 vjeç, me bazë në Suedi.

Ai drejton një nga kanalet më aktive të këtij lloji në YouTube, me afro 200 milionë shikime dhe 399 mijë abonentë, dhe ka gjithashtu një faqe në Facebook me më shumë se 600 mijë ndjekës. Sipas raportimit, ai e kishte regjistruar kanalin e tij si biznes në Suedi, ku pretendon se ushtron “aktivitete influenceri, marketingu dhe reklame”.

Ai është përcjellë në fshehtësi. Ekipi e ka përcjellë Florjan Rekën duke ecur me shpejtësi pak para orës 02:00 së bashku me një burrë tjetër, të cilin më vonë e kanë identifikuar si vëllain e tij – Roland.

Në një moment, vëllezërit dukeshin sikur po shikonin telefonat e tyre në lartësinë e belit. Por në të vërtetë, secili po mbante një kamerë të veçantë në të njëjtin nivel dhe po filmonte gratë teksa kalonin pranë tyre. Vëllezërit dukeshin të pavetëdijshëm se po vëzhgoheshin.

Ata janë parë duke filmuar jashtë klubeve të ndryshme dhe më pas ribashkoheshin gjatë gjithë natës.

Gjatë ditëve në vijim, video të reja nga rrugët e Manchesterit nisën të shfaqeshin në disa llogari në rrjete sociale, që sipas BBC, janë të lidhura me Florjan Rekën. Pamjet e publikuara përputheshin me këndet nga të cilat janë parë vëllezërit duke filmuar.

Në një video të publikuar në kanalin e lidhur me Roland Rekën, shihet një grua që përpiqet të tërheqë fundin lart, pasi i kishte rrëshqitur poshtë në fillim të videos. Në pamje të tjera, gratë po largoheshin, por kamera i kishte filmuar nga një kënd i ulët, duke u ekspozuar pjesë intime. Në një video të publikuar në faqen e Facebook-ut të Florjan Rekës, kamera qëndron për një kohë te dekolteja e një gruaje ndërsa ajo rregullon bluzën e saj.

Në të gjitha videot, asnjëra prej grave nuk duket se është në dijeni që po filmohet.

Florjan Reka ka refuzuar të përgjigjet në interesimin e mediumit. Ai ka injoruar pyetjet dhe nuk është përgjigjur as letrën që i është lënë në kutinë e postës.

Gjatë Halloween-it në Manchester janë vënë re edhe tre burra të tjerë duke filmuar gra. Ata dukeshin se njiheshin me njëri-tjetrin – dhe me vëllezërit Reka – pasi gjatë natës ndalonin herë pas here për të biseduar.

Njëri prej tyre ishte Dean Hill, 36 vjeç, shofer taksie që punon në zonë. Ai është kapur duke filmuar me një kamerë të vogël pranë kraharorit, teksa kalonte pranë grupeve të vajzave, përpara se të kthehej mbrapsht për t’i filmuar nga pas.

Në disa prej pamjeve – të ngjashme me postimet e vëllezërve Reka – Hill duket se ndjek gratë ndërsa ato përpiqen të ulin fundet ose të rregullojnë rrobat. Në një video, kamera e ndjek një grua me kostum Halloëeen-i për gati dy minuta, duke u dukur në një moment se përshpejton për ta arritur.

Hill i mohon fuqishëm çdo shkelje dhe i tha BBC-së se ai nuk filmon individë apo pjesë intime të trupit dhe se kamera e tij është e dukshme në çdo moment.

“Nuk filmoj nën funde, pjesë intime të trupit apo ndonjë formë lakuriqësie…videot e mia nuk përmbajnë përmbajtje seksualisht eksplicite,” tha ai në një mesazh.

“Pamjet nuk janë selektive dhe nuk synojnë asnjë grup të veçantë. Ato pasqyrojnë këdo që ndodhet në hapësira publike në momentin e filmimit.”

“Jam i vetëdijshëm se disa krijues përmbajtjeje online mund të angazhohen në praktika të papërshtatshme; megjithatë, kanali im nuk vepron në këtë mënyrë. Çdo sugjerim i kundërt nuk pasqyron natyrën apo qëllimin e përmbajtjes sime.”, ka deklaruar Hill.

Një burrë tjetër, i cili nuk është identifikuar, gjithashtu mohoi se kishte bërë ndonjë gjë të gabuar apo kishte shkelur ndonjë rregull. Ai tha se filmonte vetëm jetë nate dhe video ecjeje, duke shtuar se kishte fshirë një numër postimesh.

Policia nuk ka akuzuar asnjë nga burrat për ndonjë veprimtari kriminale.

Policia e Manchesterit arrestoi një burrë në vitin 2024 nën dyshimin për përndjekje dhe ngacmim, pas raportimeve për video të ngjashme ku gratë filmoheshin gjatë daljeve të natës.

Policia tha se ishte arrestimi i parë i këtij lloji në vend. Por këtë muaj njoftoi se nuk do të ndërmerrte veprime të mëtejshme ndaj të dyshuarit për shkak të “kufizimeve në legjislacionin aktual”, duke shtuar se po shqyrtonte “rrugë civile” për të trajtuar këtë çështje.

YouTube ka çaktivizuar dy llogari të lidhura me Florjan Rekën, pas këtij hetimi. Në një postim në X, Florjan Reka i kërkoi YouTube-it që vendimi të rishqyrtohej, duke thënë se ai publikon vetëm “video publike të tureve ecjeje”.

Disa nga videot e ndara me YouTube mbeten ende online. Platforma e shpërndarjes së videove thotë se i zbaton “me rigorozitet” udhëzimet e saj të komunitetit.

Llogaritë e tjera të lidhur me burra tjerë mbeten online. Një burrë duket se ka ndryshuar emrin e kanalit të tij, ndërsa një tjetër ka hequr të gjithë përmbajtjen.

TikTok ka hequr katër kanale që janë raportuar./Reporteri.net

Trending