Modeli i ri i e-fakturës pritet të sjellë transparencë më të madhe, nivel më të lartë të përputhshmërisë tatimore dhe lehtësim të punës për kompanitë.
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike thonë se fatura elektronike nuk do të përbëjë barrë administrative, por një mjet që do ta përmirësojë mjedisin e biznesit dhe do të ulë konkurrencën e pandershme.
“Për kompanitë nuk do të përfaqësojë ngarkesë shtesë administrative apo vështirësi, përkundrazi, do ta lehtësojë ndjeshëm dhe do ta ndryshojë mënyrën aktuale të funksionimit, duke kaluar nga procese rutinë dhe manuale në procese të automatizuara dhe të digjitalizuara, jo vetëm në faturim, por edhe në regjistrime kontabël dhe pagesa. Kështu, brenda vetë kompanive do të hapet mundësia për ridrejtimin e burimeve dhe kohës drejt punëve më produktive, duke nxitur rritjen ekonomike”, deklaroi Elena Petrova – drejtoreshë e DAP-it.
Që nga 1 janari, testimin tashmë po e realizojnë kompanitë softuerike dhe ndërmarrjet e mëdha me platforma të veta të faturimit, të cilat do të integrohen me sistemin shtetëror të DAP-it. Nga 1 prilli do të nisë testimi edhe i aplikacioneve falas për kompanitë e vogla dhe të mesme, ndërsa i gjithë procesi pritet të përfundojë deri më 30 shtator, kur duhet të jetë gati edhe zgjidhja ligjore për zbatimin e detyrueshëm.
Mbështetje për projektin vjen edhe nga komuniteti i biznesit, prej nga theksojnë se kompanitë e kanë pritur të përgatitura futjen e e-fakturës, e cila pritet të kontribuojë në uljen e ekonomisë gri dhe përshpejtimin e digjitalizimit, veçanërisht te ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
“Është një proces mjaft kompleks dhe do të nevojitet kohë për t’u implementuar, por po trajtohet me seriozitet të plotë dhe, sipas ritmit të planifikuar, besoj se deri në shtator do të arrihet zbatimi i këtij projekti serioz të e-fakturës, i cili është shumë i rëndësishëm për biznesin”, deklaroi Goran Gjorgjievski, kryetar i Lidhjes së Dhomave të Tregtisë.
Nga DAP presin që faza e parë e detyrueshme e sistemit të nisë deri në fund të këtij viti, me përfshirje graduale të kompanive, në varësi të gatishmërisë së sistemit dhe rezultateve nga testimet. E-faktura paralajmërohet si një investim afatgjatë shtetëror me kthim të shpejtë, përmes një klime më të mirë të biznesit, funksionimit më efikas dhe të ardhurave buxhetore më të qëndrueshme.





