Trendy

E njëjta punë, pagë më e ulët! Gratë në Maqedoni fitojnë 12% më pak se burrat

Para 39 minuta

Gratë në Maqedoninë e Veriut fitojnë mesatarisht rreth 12% më pak se burrat, bëjnë të ditur nga Aleanca për Barazi Gjinore, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pagës së Barabartë. Nga Aleanca për Barazi Gjinore sqarojnë se kjo shifër nuk nënkupton domosdoshmërish se një grua paguhet më pak se një burrë për të njëjtën pozitë, por paraqet diferencën mesatare në të ardhurat e grave dhe burrave në tregun e punës.

 

“Në Maqedoni, të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se hendeku gjinor në paga është rreth 12%, ndërsa dallimet më të mëdha vërehen te personat me arsim të lartë dhe te të punësuarit e moshës 45 deri në 49 vjeç. Kjo tregon se arsimi i lartë dhe përvoja profesionale, në vetvete, nuk janë të mjaftueshme për të siguruar pozitë të barabartë ekonomike për gratë”, tha Aleanca për Barazi Gjinore.

Natasha Amdiju, anëtare e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, tha për TV21 thotë se roli tradicional i gruas në shoqëri ndikon në pozitën e saj në tregun e punës. Sipas saj, gratë shpesh qëndrojnë për periudha më të gjata jashtë tregut të punës për shkak të kujdesit për fëmijët dhe anëtarët e familjes, punë që kryesisht është e papaguar. Kjo, sipas Amdijut, i bën ato më pak konkurruese kur rikthehen në tregun e punës.

“Në Bashkimin Evropian ekziston një direktivë për transparencën e pagave dhe, meqë Maqedonia është kandidate për anëtare në Bashkimin Evropian, është e nevojshme të bëjë harmonizim të plotë dhe t’i detyrojë kompanitë, përkatësisht sektori publik sigurisht që publikon, por mbi të gjitha sektori privat, që t’i publikojnë, me qëllim që së pari t’i japë dukshmëri pagës, se çfarë page pritet, përkatësisht që të mund të kenë qasje në mënyrë të barabartë edhe burrat edhe gratë”, tha Natasha Amdiju.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, gratë në nivel global vazhdojnë të fitojnë rreth 20% më pak se burrat, ndërsa të dhënat më të fundit të EUROSTAT tregojnë se hendeku gjinor në paga në Bashkimin Evropian në vitin 2024 është 11.1%. Edhe pse në vitet e fundit është shënuar një ulje graduale e dallimeve, ato mbeten të konsiderueshme, veçanërisht te gratë në pozita më të larta dhe në pjesën më produktive të jetës së punës.

Trending