Kjo është Esra, nxënëse e klasës së 5-të në shkollën fillore “Azem Marana” të fshatit Gajre të Tetovës.
E gjetëm të vetme në orën e mësimit. Gjithsej në këtë klasë janë 5 nxënës, por 4 nuk kishin ardhur për shkak të gripit.
Shpërnguljet e vazhdueshme janë arsyeja pse paralelja ka mbetur me 5.
Mësuesi Rexhep Halili, që ka 35 vjet që punon në arsim, na tregoi se shkolla dikur kanë pasur mbi 120 nxënës, ndërsa tani ka mbetur me 48.
“Numri në këtë shkollë ka ra dukshëm. Si shkaktar kryesor është migrimi si zakonisht në shtetet perëndimore, shkaku i situatës ekonomike dhe kjo është jo vetëm në Gajre po në të gjithë pjesët e vendit tonë dhe sa e mbaj mend unë se kur kam ardhur këtu në vitin 1995 çdo klasë ka pasur mbi 25 nxënës, kurse në vitin 2001/2002 në ciklin tetë vjetar ishte mbi 120 nxënës”, tha Rexhep Halili, mësues.
Frika më e madhe është se numri i nxënësve do të bjerë edhe më shumë! Baballarët që janë në mërgim janë duke pritur dokumentet për të tërhequr fëmijët.
“Në vitin e ardhshëm shkollor, në bazë të informacioneve që kemi, që janë duke punuar dhe do të aplikojnë edhe për bashkëshortët e tyre që t’i marrin dhe bëjnë bashkim familjar, kështu që numri nga viti në vit është në rënie të madhe, jo vetëm në Gajre por në përgjithësi në malësinë e Sharrit”, shtoi Rexhep Halili, mësues.
Nga sektori për arsim në Komunën e Tetovës thonë se këtë vit shkollor fletëshpërngulje kanë kërkuar 74 nxënës. Për dallim nga vitet e tjera, kërkesat për proces të tillë janë ulur.