Një inspektor policor i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjatë kohës së ish-ministrit Oliver Spasovski, për disa vite ka drejtuar helikopter policor me dokument të falsifikuar – leje për drejtimin e tij. Gjatë asaj periudhe, sipas informacioneve, me helikopterin janë transportuar edhe politikanë dhe ministra të lartë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Skopje Info, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal ndaj një personi të punësuar si pilot kryesor në Njësinë e Aviacionit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Falsifikim dokumenti”, sipas nenit 378 paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, i dyshuari në periudhën nga 27 shkurt 2023 deri më 10 prill 2023, në cilësinë e shefit të Njësisë së Aviacionit, me qëllim që të përfitonte autorizim si instruktor për helikopterë të tipit TRI BELL 206, pa i plotësuar kushtet e nevojshme, ka regjistruar në mënyrë të paligjshme në lejen e tij si anëtar i ekuipazhit se posedon autorizimin TRI B-206, gjoja të fituar më 26 shkurt 2020.










