Mbi 70 për qind e popullsisë e duan anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Përqindja në rritje e popullsisë është raportuar nga sondazhet e realizuara nga fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Instituti për demokraci “Societas Civilis”. Ajo që vërehet këtë vit është rritja e besimit tek maqedonasit, me 15 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Sondazhi ka treguar po ashtu se është ulur numri i njerëzve që mendojnë se Maqedonia duhet të mos ndërmarrë asgjë për procesin e zgjerimit, shkruan gazeta KOHA.
“Më e rëndësishmja, ka pasur një ngushtim të hendekut në mbështetje të anëtarësimit në BE midis dy grupeve më të mëdha etnike – maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë. Shqiptarët etnikë vazhdojnë të shprehin mbështetje të fortë për aspiratat e anëtarësimit. Kjo mbështetje ruhet në vitin 2025, me 76 për qind të të anketuarve nga ky grup që shprehin një mendim pozitiv. Megjithatë, kjo përqindje është 8 për qind më e ulët krahasuar me vitin e kaluar”, vërehet në analizë.
Në vitin 2025, 25 për qind e të anketuarve besojnë se arsyet e dështimit të vendit për të fituar anëtarësimin qëndrojnë brenda vendit, ku mungesa e reformave të brendshme identifikohet si një faktor kyç. Nga ana tjetër, më pak njerëz fajësojnë BE-në dhe ngurrimin e saj për të pranuar anëtarë të rinj si pengesën kryesore për anëtarësim. Edhe pse ky grup përbën 26 për qind të popullsisë, numri i tij është ulur me 6 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar. Ky trend ka të ngjarë të pasqyrojë besueshmërinë në rritje të politikës së zgjerimit të BE-së në rajon, siç konfirmohet nga progresi i fundit në procesin e pranimit të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Në Parlament u prezantuan të mërkurën dy analizat nga Instituti për Demokraci dhe Fondacioni Konrad Adenauer mbi procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, të përgatitura në bazë të anketës së opinionit publik të kryer në periudhën nga 22 tetori deri më 5 nëntor 2025. “Në Maqedoni nuk ka dilema për anëtarësimin në BE, si qëllim, tek pjesa dërrmuese e popullsisë. Dilemat shfaqen për mënyrën sesi do të arrihet anëtarësimi dhe pse gjatë këtij procesi ndryshohen kushtet për dallim nga fillimet kur ishim kandidat. Frustrimi i qytetarëve vjen për shkak se rregullat e lojës ndryshojnë shpesh dhe vendosen pengesa të caktuara”, u shpreh ndër të tjera ish ministri i punëve të jashtme, Antonio Milloshovki.
EVROPIANËT PESIMISTË
Sipas një sondazhi nga firma e komunikimit strategjik FGS Global, i ndarë ekskluzivisht me POLITICO, që anketoi më shumë se 11.000 persona në 23 vende të Bashkimit Evropian në nëntor, ka treguar pesimizëm në rritje për vendet e tyre, botën dhe Donald Trumpin. Gati dy të tretat e të anketuarve thanë se “vitet më të mira janë pas nesh” (63 për qind), ndërsa 77 për qind besojnë se jeta në vendin e tyre “do të jetë më e vështirë për brezin e ardhshëm”, Ndjenja e zymtë është veçanërisht e përhapur në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Një shumicë evropianësh (76 për qind) thanë se demokracia në vendin e tyre është në rënie.
Sondazhi zbulon shqetësim të përhapur për gjendjen e demokracive evropiane dhe për kapacitetin e qeverive për t’u përballur me sfidat e tyre, të cilat përfshijnë luftën në krahun lindor të kontinentit, pasigurinë ekonomike dhe gjeopolitike, si dhe fërkimet në rritje me Uashingtonin. Në të gjitha vendet, më shumë se 70 për qind e të anketuarve ndiheshin se kishin “të drejtë të prisnin më shumë nga qeveria”, në krahasim me idenë se po prisnin tepër shumë. (koha.mk)










