Pas kërcënimeve të nga Komuna e Haraçinës dhe kryetari i saj Ridvan Ibrahimi, me 25 maj 2023 u morë vendim që administrata e komunës të mbyllet deri në një afat të pa caktuar. Këtë e kanë bërë të ditur kreu i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi përmes një konference për media.
Ai ka thënë se për shkaqe sigurie, komuna nuk do të punojë deri në një kohë të pacaktuar. Ibrahimi u shpreh se ditëve të fundit kanë marrë kërcënime të vazhdueshme me jetë për shkak të projektit të komunës që disa toka bujqësore, pronë e shtetit, të shfrytëzohen nga komuna për ndërtimin e një zone industriale dhe ndërtimin e një stadiumi për klubin e futbollit Shkëndija të Haraçinës.
“Këta prona për momentin janë të uzurpuara nga ana e personave që shkaktuan incidentin. Në momentin që tashmë jemi në fazën përfundimtare të këtyre procedurave, me Ministrinë e Bujqësisë, ata sërish marrin guximin dhe na kërcënojnë për jetët tona”, u shpreh Ibrahimi.
Ai shtoi se kjo konferencë për media është caktuar si rezultat i disa incidenteve që kanë ndodhur në të kaluarën, ndodhin edhe tani. Sipas tij, nëse lihet kështu pa mos reaguar do të ndodhin edhe në të ardhmen. “E dinë organet e rendit, i njohin edhe personat që kërcënojnë jo vetëm mua si kryetar por edhe gjithë administratën. Andaj nga e marta pas atij incidentit komuna do të jetë e mbyllur deri të zgjidhet rasti i plotë”, thotë në fund Ibrahimi.
Nërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka deklaruar se i vjen keq që komuna sërish kthehet në një kohë kur nuk kishte asnjë funksionalitet dhe nuk zgjidhen asnjë nga problemet. Spasovski tha se do të ketë kallëzime ndaj personave që kanë prishur rendin she sigurinë, ndërkaq theksoi se ajo që po ndodh në Haraçinë, është punë që duhet ta sqarojnë mes vete autoritetet. “Tashmë po merren masa në përputhje me udhëzimet që po i jep Prokuroria Publike dhe do të parashtrohen kallëzime kundër këtyre personave, por mendoj që të gjitha ata punë që po ndodhin në Haraçinë, janë punë që duhet t’i sqarojnë mes vete, pse, sepse konfliktet mes vete që i kanë personat nga prominenca të njëjta politike, njerëz me interes të njëjtë dhe kështu me radhë, nuk duhet negativisht të paraqitet te qytetarët, në punën e komunës”, tha mes tjerash Spasovski.
………………..
Sulm me armë zjarri në drejtim të veturës së kryetarit të Haraçinës
Sot gjatë ditës ka pasur disa të shtëna me armë në drejtim të veturës së kryetarit të Haraçinës, ku si pasojë e gjuajtjeve, kanë mbetur dy persona të plagosur.
Sipas informacioneve të para të marra nga tereni, të plagosur kanë mbetur nënpunësi i Komunës dhe shoferi i kryetarit të Komunës.
Personi që ka kryer sulmin, thuhet të jetë person i njohur për Policinë i cili ka qenë i përfshirë edhe në krime të tjera./ Alsat.mk