Pas një hetimi disa mujor, policia ka arrestuar dy persona të dyshuar për një seri vjedhjesh të rënda në Prishtinë, të cilët dyshohet se kanë kryer 27 raste të ndryshme të këtij krimi.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Abdyl Dibrani rreth 48 vjeç dhe Halit Maxhuni rreth 49 vjeç, ndaj të cilëve hetimet kishin nisur më 22 janar 2026 dhe kanë vazhduar deri më 12 mars 2026.
Sipas të dhënave nga hetimet, dyshimet janë mbështetur edhe në masa të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, përmes të cilave janë siguruar prova materiale që i lidhin të dyshuarit me një numër të madh vjedhjesh të rënda në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Më 12 mars 2026, me urdhër të gjykatës janë kryer kontrolle në banesat e të dyshuarve, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar disa prova që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale.
Në mesin e gjësendeve të sekuestruara janë:
• kaçavida,
• veshmbathje dhe dorëza,
• kapelë,
• telefona celularë,
• si dhe 101 fishekë të armës së zjarrit.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.










