Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon masa më të forta për mbrojtjen e shëndetit publik, pasi mbi 200 mijë persona kanë humbur jetën në Evropë gjatë katër viteve të fundit për shkak të vapës ekstreme…
Në të njëjtën ditë kur Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e Shteteve të Bashkuara (NOAA) njoftoi fillimin e fenomenit El Nino në Paqësorin tropikal, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi një plan të ri veprimi për parandalimin e vdekjeve që lidhen me temperaturat ekstreme.
Kush rrezikohet më shumë?
Temperaturat ekstreme mund të përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese, përfshirë ato kardiovaskulare, të frymëmarrjes, cerebrovaskulare dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
Përveç numrit të lartë të viktimave, fenomenet ekstreme të verës në vitet e fundit kanë shkaktuar pasoja fizike dhe psikologjike te miliona njerëz.
Ndër grupet më të rrezikuara nuk janë vetëm të moshuarit, foshnjat, fëmijët dhe gratë shtatzëna. Rrezik më të lartë përballen edhe personat me sëmundje kronike, ata me vështirësi në lëvizje ose me aftësi të kufizuara njohëse, punonjësit që punojnë në ambiente të hapura, sportistët, pjesëmarrësit në aktivitete masive si koncertet, si edhe migrantët, refugjatët, personat e pastrehë dhe individët që jetojnë në kushte të papërshtatshme banimi me akses të kufizuar në ujë të pastër, energji elektrike ose ushqim të mjaftueshëm.
Si mund të përballohet vapa ekstreme?
Masat individuale mbrojtëse, si konsumimi i rregullt i ujit dhe shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, mbeten të rëndësishme. Megjithatë, sipas ekspertëve, ato nuk janë më të mjaftueshme në kushtet e krizës klimatike, ndërsa Evropa po ngrohet më shpejt se çdo rajon tjetër i planetit.
OBSH thekson se rritja masive e përdorimit të kondicionerëve nuk përbën një zgjidhje afatgjatë. Kjo qasje konsiderohet jo e qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore, nuk është ekonomikisht e përballueshme për të gjithë qytetarët dhe rrit presionin mbi sistemet energjetike.
Organizata rekomandon përmirësimin e ndërtesave, veçanërisht të vendeve të punës, krijimin e hapësirave të freskëta në lagje dhe ndërhyrje për të kufizuar fenomenin e ashtuquajtur të “ishujve termikë urbanë”, ku temperaturat në qytete janë ndjeshëm më të larta se në zonat përreth.
Një nga masat më efektive mbetet përmirësimi i komunikimit mes shërbimeve meteorologjike, autoriteteve shëndetësore dhe qytetarëve.
Kjo përfshin paralajmërime të hershme për valët e të nxehtit, udhëzime të qarta përmes aplikacioneve dhe kanaleve të informacionit, iniciativa lokale për hidratim dhe mbështetje të grupeve të cenueshme, si dhe organizim më të mirë të shërbimeve shëndetësore dhe sociale.
Sipas OBSH-së, këto masa janë thelbësore për të ndihmuar shoqëritë të përgatiten dhe të përballojnë më mirë valët e ardhshme të të nxehtit.










