Rock grupi më i njohur i muzikës shqiptare Elita 5 me këngën “Natën e mirë” ka fituar edicionin e 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”, një prej eventeve më të rëndësishme të muzikës dhe videoklipit në hapësirën shqiptare.
Vokalisti i grupit ‘Elita 5’, Arif Ziberi falënderoi jurinë dhe vlerësoi publikun shqiptar pas marrjes së çmimit të madh, i përbërë nga plot 7 kupa për arritje të ndryshme teknike-profesionale.
“Natën e mirë’ ka qenë një projekt i realizuar shpejt. Ka qenë një këngë dhe mund shumë i madh për grupin tonë. Falënderoj publikun e mrekullueshëm që na përkrah për mbi 35 vite. Derisa të jenë ata do të jetë edhe grupi Elita 5”, tha z. Arif Ziberi.
Mbrëmja ofroi emocione të forta dhe performanca speciale nga salla e Teatrit të Operës dhe Baletit në TIranë. Kjo ishte hera e parë pas 7 vitesh që shfaqja u rikthye në kryeqytetin shqiptar, pas disa realizimeve në Ulqin.
Spektakli i moderuar nga Ermal Peçi dhe Drita Ziri bëri pjesë të skenës së madhe disa nga emrat e shquar të artit skenik, muzikës dhe tekstit të shkruar, duke dorëzuar secili prej tyre çmimin e merituar për secilën kategori të krijimtarisë filmike dhe muzikore për produksionet shqiptare.
Spektakli u transmetua drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTSH 1 HD.





