Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka adresuar kritika të forta ndaj Serbisë gjatë takimit ministror të iniciativës “Platforma për Paqen në Ballkan”, që u mbajt në Antalia.
Në prani të homologut serb, Marko Duriq, ai vuri në pah se marrëdhëniet në rajon nuk mund të përmirësohen pa ndershmëri dhe përballje me të kaluarën.
Konakoviq akuzoi drejtpërdrejt udhëheqjen serbe, të kryesuar nga Aleksandar Vuçiq, se po toleron dhe madje promovon figura të lidhura me krime lufte, duke dëmtuar besimin mes vendeve fqinje. Ai kritikoi edhe paraqitjen publike të Milorad Dodik dhe Zeljka Cvijanoviq në Beograd, duke e cilësuar këtë si mungesë respekti ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës.
Megjithatë, kryediplomati boshnjak theksoi se ekziston vullnet për bashkëpunim rajonal, sidomos në projekte infrastrukturore, por nënvizoi se dialogu duhet të bazohet në përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë.










