Gjykata Penale në Shkup pranoi propozimet e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe urdhëroi paraburgim 30 ditorë për 9 persona të ndaluar dje në lidhje me aksionin e madh policor në rastin “Aditivët”.
Ish-drejtori i EMV Vasko Stefanov, është një nga personat për të cilët gjykata ka miratuar masën e paraburgimit.
Ndërkaq, janë vendosur masa kujdesi për gjithsej 13 persona.
“Për të dyshuarit – V.S., P.S., M.S., M.J., D.S., N.S., R.S. dhe P.M., gjykata ka pranuar propozimin e Prokurorit Themelor Publik, dhe ka caktuar masa të paraburgimit për 30 ditë, për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikim në dëshmitarë dhe rrethana që mund ta përsërisë veprën penale. Për të dyshuarin M.S. , duke pasur parasysh moshën e tij dhe veprimet e ndërmarra, gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”, thonw nga Gjykata Penale Shkup.
Për Vasko Kovaçevskin, ish-drejtor i EMV-së i dyshuar në këtë rast, i cili është ende jashtë vendit, një prokuror publik paraqiti një propozim në gjykatë që kur do të kapet, t’i shqiptohen masa kujdesi dhe t’i merret pasaporta e tij, por Prokuroria Penale do të vendosë për këtë pasi ai të kthehet në vend. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, tha se Kovaçevski nuk kishte hequr dorë nga shtetësia e tij maqedonase, por nuk u përgjigj nëse policia kishte informacione për shtetin se ku ndodhet.
“Ajo që është fakt është se personi në fjalë është brenda regjistrit të shtetasve të Maqedonisë. Ai është shtetas i Maqedonisë dhe nuk ka kërkuar heqje dorë nga shtetësia sipas informacionit që kam, në lidhje me pjesën tjetër të pyetjes nuk do të doja të spekuloja dhe do të lija autoritetet e ndjekjes së bashku me të gjitha institucionet e tjera të veprojnë në të ardhmen dhe ta sjellin personin në fjalë para gjykatës dhe para drejtësisë”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Në konferencën e sotme për media, kreu i Prokurorisë për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, tha se aksioni “aditivët” po zhvillohet edhe sot, me gjithsej 77 kontrolle, dhe raportoi se ishin sekuestruar 208 mijë euro para të gatshme, dokumentacion i gjerë, telefona celularë si dhe një automjet BMW. Rasti “Aditivët” përfshin gjithsej 23 persona, dhe të dyshuarit pretendohet se kanë keqpërdorur prokurimin publik për blerjen e aditivëve dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar dëm prej 6.5 milionë euro. Toshkovski tha se dëmi në fund mund të jetë edhe më i madh. / Alsat.mk