Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar pas sulmeve në Gaza nga Izraeli, duke u shprehur se politikat e genocidit të Kryeministrit Benjamin Netanyahu duhet të ndalojnë.
Një reagim i tillë ka ardhur përgjatë një bisede telefonike mes Erdoganit dhe homologut të tij finlandez, Alexander Stubb, sikurse dhe me Kryeministrin holandez Dick Schoof, përgjatë ditës e sotme, teksa zyrtarët kanë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe e çështjet globale, siç raporton media turke Hurriyet Daily News.
Erdogan iu shpreh Presidentit të Finlandës se sulmet e reja në Gazë janë të papranueshme. Kreu i shtetit turk shtoi më tej se ndërkombëtaret duhet t’i thonë “stop” politikës së gjenocidit të Netanyahut dhe theksoi rëndësinë e rivendosjes së armëpushimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Përveç këtyre bisedimeve, Ministria e Jashtme e Turqisë, doli me një deklaratë publike që dënon sulmet, siç raporton media Hurriyet Daily News.
“Masakra e qindra palestinezëve nga sulmet e Izraelit në Gaza, mëngjesin e sotëm, tregon se politika e gjenocidit të qeverisë Netanyahu, ka hyrë në një fazë të re, duke sfiduar njerëzimin përmes shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave universale në mënyrën më të rëndë.
Në një kohë kur përpjekjet për të arritur paqen dhe stabilitetin rajonal janë duke u intensifikuar, agresioni i shfaqur nga qeveria izraelite, kërcënon të ardhmen e rajonit. Është e papranueshme që Izraeli po shkakton një spirale të re dhune.
Si Turqi, ne përsërisim mbështetjen tonë të palëkundur për kauzën e drejtë të popullit palestinez dhe riafirmojmë angazhimin tonë për të kontribuar në përpjekjet që synojnë sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes turke.