Apple ka bërë të ditur se planifikon të rrisë çmimet e produkteve të saj, pasi kostoja e çipave të memories që përdor është rritur ndjeshëm.
Drejtori ekzekutiv në largim i kompanisë, Tim Cook, i tha Wall Street Journal (WSJ) se rritjet e çmimeve janë “të pashmangshme”, pasi situata me çipat e memories është bërë “e paqëndrueshme”.
Ai nuk dha detaje se kur do të rriten çmimet apo cilat produkte do të preken, ndërsa mbetet e paqartë nëse rritjet do të ndikojnë edhe në iPhone 18, që pritet të lansohet në shtator.
Çipat e memories janë komponentë thelbësorë në pajisjet e mençura si telefonat mobilë, por rritja e kërkesës për inteligjencë artificiale (AI) ka shtyrë çmimet e tyre lart në muajt e fundit.
“Ne po bëjmë më të mirën për të zbutur rritjet e mëdha që po na përcillen, dhe jemi përpjekur t’i mbrojmë konsumatorët tanë, por situata është bërë e paqëndrueshme,” tha Cook për WSJ.
“Ka më pak furnizim në një kohë kur konsumatorët duan pajisje dhe prodhuesit e memories po përcjellin rritje të mëdha çmimesh,” shtoi ai.
Ai theksoi se nevojitet që çmimet dhe furnizimi i memories të kthehen në nivele të arsyeshme për produktet e konsumit.
Çmimi i RAM-it – zakonisht një nga komponentët më të lirë të kompjuterëve është më shumë se dyfishuar që nga tetori 2025.
Përveç rritjes së kërkesës nga AI, edhe lufta në Iran ka ndikuar në ndërprerjen e furnizimit global të heliumit, një gaz i rëndësishëm për prodhimin e gjysmëpërçuesve, duke rritur më tej kostot.
Sipas firmës kërkimore Omdia, çmimi mesatar i shitjes së smartfonëve në nivel global pritet të rritet rreth 20% në vitin 2026, duke arritur nivel rekord.
Telefonat e rinj të Apple mund të kushtojnë deri në 150 dollarë më shumë se iPhone 17, për shkak të përmirësimeve të specifikave për funksione të reja me AI.
Shumica e prodhuesve të telefonave tashmë kanë rritur çmimet, kanë ulur promocionet ose kanë reduktuar specifikat për të mbrojtur fitimet e tyre.
Edhe kompani të tjera të teknologjisë kanë paralajmëruar presion në industrinë e çipave.
TSMC nuk përjashton rritjen e çmimeve për shkak të kostove në rritje, ndërsa Samsung ka deklaruar se mungesat e çipave të memories do të rrisin çmimet e pajisjeve elektronike.
Sony dhe Nintendo gjithashtu kanë rritur ose planifikuar rritje çmimesh për konsolat e tyre për shkak të kushteve të tregut.
iPhone 17 ka shënuar shitje të forta, me rritje 17% të shitjeve të Apple në tre muajt e parë të vitit 2026.
Apple gjithashtu ka hequr opsionin bazë të Mac Mini, duke rritur çmimin fillestar të tij me rreth 200 dollarë. /Reporteri.net/











