Një fatkeqësi e madhe u shmang dje në Ohër, pasi një motoskaf u përfshi nga flakët në liqenin e qytetit. Zjarri përfshiu edhe dy anije të tjera pranë tij, duke rrezikuar të shkaktojë një katastrofë të mëtejshme, që fatmirësisht u evitua në kohë.
Pronari i një varkeje, Dimitri Çekrexhi, shprehet se kushtet për parkimin e anijeve në Ohër janë jashtëzakonisht të pasigurta, duke theksuar se anijet janë të ankoruara kudo në liqen pa ndonjë organizim të duhur. Një tjetër pronar, Zoran Angelloski, shton se mbushja me karburant e anijeve është një problem i madh dhe se mungon hapësira e nevojshme për manovra të sigurta.
Banorët e Ohrit prej vitesh dëgjojnë premtime për ndërtimin e një marine të mirëfilltë, por deri më tani janë realizuar vetëm improvizime që nuk përmbushin kushtet elementare të sigurisë. Kanalet aktuale ku parkohet dhe mbushet karburanti janë të rrezikshme, duke rritur mundësinë e incidenteve si ai i ditës së djeshme.
Dimitri Çekrexhi thekson se nuk ka as pikë moderne karburanti dhe se fatkeqësia e fundit mund të përsëritet në çdo moment, duke vënë në rrezik anijet dhe jetën e banorëve.
Ministria e Transportit nuk ka dhënë ende përgjigje nëse ekziston ndonjë plan për ndërtimin e një marine të re dhe se kur mund të fillojë ky projekt.
Në Kapedaninë e Ohrit janë regjistruar 3,269 anije, shumica prej të cilave përdorin liqenin e Ohrit për lundrim, duke bërë urgjente nevojën për një ambient të sigurt për parkim dhe mirëmbajtje të tyre.










