Trendy

Evropa përvëlohet nga vapa: Të paktën 9 të vdekur dhe qindra të shtruar në spital

Para 4 muaj

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën këtë javë në Evropë si pasojë e valës përvëluese të të nxehtit që ka përfshirë kontinentin, duke alarmuar autoritetet dhe vendosur në gatishmëri sistemet shëndetësore.

Në Itali, temperaturat arritën deri në 38°C, duke shkaktuar alarme të kuqe në 17 qytete të mëdha, përfshirë Romën dhe Milanon. Një punëtor ndërtimi, Brahim Ait El Hajjam, 47 vjeç, vdiq në periferi të Bolonjës ndërsa derdhte beton nën temperaturat ekstreme. Në Sardenjë, dy burra mbi 60 vjeç humbën jetën në plazh, ndërsa në Palermo një grua 53-vjeçare ndërroi jetë pas të fikëtit gjatë një ecjeje në rrugë.

Spanja regjistroi temperaturën ekstreme prej 46°C në Huelva dhe 37.9°C në Barcelonë, ku një pastrues rruge vdiq në rrethana të dyshimta, të lidhura me të nxehtin. Raportime për vdekje të tjera vijnë edhe nga Extremadura dhe Cordoba.

Në Francë, dy persona ndërruan jetë si pasojë e temperaturave të larta dhe rreth 300 të tjerë u shtruan në spital. Në Paris priten deri në 40°C, ndërsa autoritetet mbyllën Kullën Eiffel dhe qindra shkolla.

Ndërkohë, Gjermania përballet me zjarre pyjore në Brandenburg dhe Saksoni, teksa termometri kalon 40°C.

Sipas një studimi të publikuar nga Skynews, gjatë valës më të madhe të të nxehtit në Evropë në vitin 2022, humbën jetën rreth 61,000 persona. Kjo e bën nxehtësinë një “vrasës të heshtur”, me pasoja gjithnjë e më tragjike për kontinentin.

Trending