Trendy

Famëkeqi “Legija”, njeriu kryesor i akuzuar për sulmin ndaj familjes Jashari

Para 60 minuta

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë sulmit në lagjen Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Prokurori i rastit, Valdet Gashi, bëri të ditur se në aktakuzë janë përfshirë 35 persona, të cilët, sipas hetimeve, kanë pasur pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.

Në qendër të akuzave për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj familjes Jashari është Milorad Ulemek – “Legija”, i cili, sipas Prokurorisë Speciale, në atë kohë ka udhëhequr Njësinë për Operacione Speciale të Serbisë.

Gashi tha se “Legija” kishte për detyrë, me kërkesë të tij, të drejtonte sulmin drejtpërdrejt ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.

“Njësinë për Operacione Speciale e ka udhëhequr Milorad Ulemek ‘Legija’, i cili e ka pasur për obligim dhe detyrë, me kërkesën e tij speciale, që ta sulmojë drejtpërdrejt shtëpinë e familjes së Shaban Jasharit. Kështu edhe ka ndodhur në terren”, deklaroi Gashi.

Sipas Prokurorisë, gjatë sulmit u vranë 26 civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, ndërsa banorë të lagjes Jashari dyshohet se u morën peng dhe u maltretuan.

Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi autoritetet kosovare nuk kanë arritur t’i sigurojnë të akuzuarit për pjesëmarrje në procedurë. Gashi tha se, sipas informacioneve që posedon Prokuroria, të gjithë të akuzuarit janë ende gjallë.

Trending