Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në konferencën e sotme për media në Kuvend paralajmëroi se huamarrja e re e Qeverisë në vlerë prej 260 milionë eurosh do t’i kushtojë shumë shtrenjtë shtetit, duke pasur parasysh normën e lartë të interesit. Sipas tij, vetëm për kamata shteti do të paguajë mes 58 dhe 64 milionë euro.
“Bazuar në EURIBOR-in aktual gjashtëmujor prej 2,562% dhe marzhën e dakorduar prej 2,10 pikë përqindjeje, kjo kredi aktualisht do të kushtonte rreth 4,66% në vit. Varësisht nga dinamika përfundimtare e pagesës, shteti do të paguante afërsisht mes 58 dhe 64 milionë euro vetëm për kamata, ndërsa me tarifën njëherëshe prej 3,64 milionë eurosh, barra financiare direkte arrin nga 61 deri në 67 milionë euro, pa përfshirë shpenzimet shtesë të agjencive dhe kostot e tjera. Kjo është çmimi real që qytetarët do ta paguajnë edhe para se të ndjejnë ndonjë efekt ekonomik”, deklaroi Fatmir Bytyqi.
Ai shtoi se mjetet nga huamarrja e re nuk do të përdoren për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, por për, siç tha ai, tenderë kriminalë të Qeverisë.
“Më e keqja është se këto para nuk shkojnë te qytetarët, nuk përdoren për standard më të lartë jetese, por për tenderë partiakë, kompani të favorizuara dhe luksin e pushtetit. Prandaj LSDM do ta kundërshtojë këtë huamarrje”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se për vetëm dy vite, Qeveria e Hristijan Mickoski ka krijuar nivel rekord të borxhit të ri.
“Për vetëm dy vite, Mickoski krijoi borxh të ri prej 2,5 miliardë eurosh, ndërsa borxhi publik u rrit në nivel historik prej 11 miliardë eurosh — borxh që do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Bytyqi.










