Trendy

Fatmir Limani shkarkon të gjithë njerëzit e Bilall Kasamit në Kërçovë (Dokument)

Para 2 orë

Kryesia e degës së Lëvizja Besa në Kërçovë ka marrë vendim për shkarkimin dhe largimin e tre funksionarëve lokalë, pas një mbledhjeje të mbajtur më 16 shkurt 2026.

Burime nga dega për TS bëjnë të ditur se vendimi është ndërmarrë nga strukturat e drejtuara nga Fatmir Limani, ndërsa të shkarkuarit konsiderohen si persona të afërt me kreun e partisë, Bilall Kasami.

Sipas kumtesës zyrtare, në mbledhjen e kryesisë është shqyrtuar situata politike e kohëve të fundit në nivel lokal dhe qendror, ndërsa vendimet janë miratuar në mënyrë unanime, njofton TS.

Me vendim të kryesisë janë shkarkuar:

Bejtulla Emini dhe Valbona Adili Emini, për mosaktivitet dhe mospjesëmarrje në mbledhjet e kryesisë për një periudhë gati dyvjeçare, si dhe për veprime në kundërshtim me Statutin dhe Programin politik të partisë.

Rexhep Asani, anëtar dhe sekretar i degës, për mosaktivitet, shkelje të statutit dhe veprime kundër kandidatëve të Lëvizjes Besa në zgjedhjet lokale, si dhe për mbështetje të subjekteve të tjera politike.

Agim Sadiku, kryetar i degës në Kërçovë, për moszbatim të politikave dhe vendimeve të partisë, si dhe për veprime në kundërshtim me statutin.

Në të njëjtën mbledhje, është vendosur që deri në mbajtjen e kuvendit të ardhshëm të degës, detyrën e ushtruesit të kryetarit ta ushtrojnë nënkryetarët Kastriot Ramadani dhe Ajhan Sulkoski.

Po ashtu, për ushtrues detyre të sekretarit të degës është zgjedhur Rexhep Emini, i cili do ta mbajë këtë funksion deri në kuvendin e ardhshëm të degës.

Kumtesa është nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së Lëvizjes Besa në Kërçovë, Kastriot Ramadani./TS

Trending