Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në intervistën e tij të fundit për TV Koha, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Aleancës për Shqiptarët, duke folur për ndarjen në krahë të ndryshëm dhe lëvizjet e papritura politike.
Fetai ka shprehur keqardhje për gjendjen aktuale në parti:
“Ali Ahmeti po na i grabit kryetarët, se çfarë po ju bënë dhe cilin kod e ka gjetur, pa shkuar as viti sa kemi hyrë në qeveri, duke u bërë punë të mira, del nga qeveria dhe e saboton vetveten. I pari që e ka bërë këtë tani në sondazhe është nën një për qind, i dyti tani më është duke shkuar në zero për qind. Elektorati dhe struktura e ASH-së, siç e dinë historikisht nuk e ka pranuar asnjëherë bashkëpunimin me BDI-në,” – ka deklaruar Fetai.
Ai theksoi gjithashtu se anëtarët dhe mbështetësit e Aleancës kanë qenë të përkushtuar në përballjen me BDI-në, shpesh duke paguar edhe çmim politik për qëndrimet e tyre:
“Aktivistët tanë dhe struktura e ASh-së, kanë bërë luftë politike me BDI-në, duke paguar shpeshherë edhe çmimin e qëndrimeve dhe bindjeve të tyre politike.”
Deklaratat e Fetait vijnë në një moment kur përçarjet brenda ASh-së janë bërë të dukshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.





