Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar nga Alsat, ku pretendohet për mosmarrëveshje mes tij dhe koalicionit VLEN, duke e cilësuar atë si të pabazuar dhe sfiduar publikisht median që të paraqesë fakte konkrete, përcjell tetova1
Fetai thekson se është i hapur për debat publik, por vetëm mbi baza faktesh dhe argumentesh, duke mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë përplasjeje me liderët e koalicionit.
Reagimi i plotë:
“Në lidhje me lajmin e Alsat për gjoja mosmarrëveshje mes meje dhe koalicionit VLEN, sfidoj publikisht mediumin dhe burimet e tij që të dalin me fakte konkrete dhe t’i shtjellojnë këto insinuata. Le të del e vërteta në shesh e le t’i sqarohet publikut se çfarë “mosmarrëveshjesh” paska këtu.
Nëse me “mosmarrëveshje” nënkuptohet kundërshtimi im ndaj modelit të udhëheqjes së VLEN-it me dy kryetarë, atëherë po, kemi dallime thelbësore.
Ky qëndrim nuk ishte i imi si Arben, por vendim kolektiv dhe unanim i ASH-së, përfshirë deputeten Musa dhe ministrin Aliu. Të dy ata, në mbledhjet e Këshillit Drejtues të ASH-së dhe madje edhe publikisht në media, e kanë quajtur këtë model të papranueshëm për ASH-në dhe kanë thënë se propozimi është joserioz dhe as që meriton të diskutohet. Se çfarë i ka motivuar ata që brenda nate të pranojnë këtë model, pa debat dhe pa vendim të ri në Këshillin Drejtues të ASH-së nga ku kanë ikur, këtë duhet sqaruar vetë ata.
Unë gjithmonë jam udhëhequr dhe do të vazhdoj të udhëhiqem nga bindjet e mija dhe dhe nga parimet, jo nga interesat e momentit apo kalkulimet e ulëta politike.
Këtë e kam dëshmuar gjatë 10 viteve angazhim në ASH:
Kur u distancova nga hyrja e ASH-së në qeverinë SDSM-BDI nën diktatin e Selës;
Kur si shef i kabinetit të Taravarit bëra çmos që ASH të jetë themeluese e koalicionit VLEN;
Kur, si kryetar i Kuvendit të ASH-së dhe zëvendës-Kryeministër, me zemër të thyer ndava rrugët me mikun tim të ngushtë Taravarin, sepse ai zgjodhi të koalicionojë me BDI-në, duke shpëtuar kështu edhe VLEN-in edhe qeverinë.
Po ky jam edhe sot kur kërkoj që bashkimi i VLEN-it të ndërtohet jo mbi emra të përveçëm, por mbi një vizion të qartë, mbi vlera, parime dhe rregulla të përcaktuara mirë, pa imponim, pa nxitim dhe pa tradhti.
VLEN-i më ka shumë borxh personalisht, por mbi të gjitha, i ka borxh çdo aktivisti dhe çdo votuesi të ASH-së. Pa angazhimin tonë, sot nuk do të ekzistonte VLEN-i. Pa ne, BDI-ja, pa më të voglën dilemë, do të ishte kthyer në pushtet përmes skenarit për zgjedhje të dyfishta. VLEN duhet të jete mirënjohës për këtë.
E vërteta del vetëm me fakte, jo me insinuata. Jam i hapur për çdo debat të bazuar në argumente.
Ja unë them qe nuk kam patur dhe nuk kam asnjë mosmarrëveshje me liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali dhe Bekim Qoku. Dallime në mendime apo qasje për çështje të caktuara mund të ketë patur me ndonjërin prej tyre, siç ndodh në çdo forcë demokratike, por mosmarrëveshje me asnjerin. Le të pyetën edhe ata se çfarë mosmarrëveshje kanë patur ndonjëherë apo kanë sot me mua. Izet, Bilall, Bekim dhe Bekim, folni burra, folni hapur e publikisht, siç e meritojnë qytetarët. Të tjerët që shpikin “mosmarrëveshje” janë thjesht mercenarë”, ka përfunduar Fetai./tetova1.mk










