FFM po përgatit dënime të rënda për KF Shkëndija pas incidenteve dhe sjelljes skandaloze gjatë ndeshjes finale.
Sipas informacioneve, objekt i procedurës disiplinore do të jenë disa shkelje, mes tyre fishkëllima ndaj himnit maqedonas, ndezja e mjeteve piroteknike dhe flakadanëve, thirrjet nacionaliste nga tribunat, sulmet verbale ndaj drejtuesve të FFM-së dhe ekipit të arbitrave, si dhe mosparaqitja e futbollistëve në podiumin për ndarjen e medaljeve.
Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë bëjnë të ditur se në ditët në vijim do të publikohen masat dhe sanksionet konkrete.
“Gjatë këtyre ditëve do të dalë me qëndrim edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë lidhur me masat që do të ndërmerren”, deklaroi zëdhënësi i FFM-së, Zlatko Andonovski.
Pritet që organet disiplinore të Federatës të marrin vendime pas kompletimit të raporteve nga personat zyrtarë dhe delegatët e ndeshjes.










