Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka dërguar një mesazh të qartë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se çdo sulm ndaj Iranit do të ishte i gabuar dhe se rifillimi i një konflikti do të ishte i rrezikshëm.
Ai theksoi se Irani është i gatshëm të ulet përsëri në tryezën e bisedimeve për çështjen bërthamore, duke ofruar mundësi për një zgjidhje diplomatike.
Kryediplomati turk deklaroi se negociatat duhet të zhvillohen çështje për çështje, dhe jo si një paketë e vetme.
“Është gabim, është gabim të sulmosh Iranin. Është gabim të nisësh sërish luftën. Irani është i gatshëm të negociojë armët bërthamore. Këshilla ime për miqtë amerikanë është që të mbyllin çështjet me iranianët një nga një. Filloni me dosjen bërthamore, mbylleni atë, dhe mos e trajtoni si një paketë”, tha ai.
Sipas ministrit turk, trajtimi i të gjitha çështjeve njëkohësisht mund të jetë i vështirë për palën iraniane dhe mund të duket poshtëruese për udhëheqjen e tyre.







