Filantropja e mirënjohur shqiptare, Fotini Allteni Kokeri, është nderuar në New York me çmimin prestigjioz “Nëntori Shqiptar”, një vlerësim që u jepet personaliteteve që kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për komunitetin shqiptar dhe promovimin e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara.
Ky titull i rëndësishëm është një dëshmi e punës së saj të palodhur në fushën e filantropisë, ku për vite me radhë znj. Kokeri ka mbështetur qindra familje, projekte humanitare, aktivitete kulturore dhe iniciativa që forcojnë lidhjet mes shqiptarëve në diasporë. Humanizmi, zemërgjerësia dhe përkushtimi i saj e kanë bërë një figurë të respektuar, jo vetëm në komunitetin shqiptar të Amerikës, por edhe më gjerë.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua në një atmosferë solemne në New York, ku morën pjesë personalitete të njohura të artit, kulturës dhe biznesit, si dhe përfaqësues të organizatave shqiptare në SHBA. Të pranishmit vlerësuan kontributin e znj. Fotini Allteni Kokeri si një shembull frymëzimi për çdo shqiptar që beson te humanizmi dhe fuqia e solidaritetit.
Nderimi me titullin “Nëntori Shqiptar” e vendos atë mes figurave më të çmuara që vazhdojnë të mbajnë gjallë shpirtin e komunitetit tonë dhe të promovojnë me krenari identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare.















