Fillon kontrolli në terren i të gjitha subjekteve të regjistruara si kabare, diskoteka ose klube të natës pas çka autoritetet do të dalin me informacione të hollësishme.
Fillimin e kontrolleve dje e paralajmëroi kryeministri Hristian Mickoski pas takimit koordinues me drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski dhe ministrin e Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në të cilin është biseduar për procedurat e deritanishme të cilat janë ndërmarrë nga institucionet kompetente dhe analiza e gjerë për të gjitha subjektet e regjistruara si kabare ose diskoteka, klube të natës.
Kryeministri Mickoski qysh pardje në konferencë për media në Qeveri tha se do të fillojë aksion i kontrollit të të gjithë dokumenteve në objektet hotelierike, pas zjarrit të tmerrshëm në Koçan, në të cilin deri më tani humbën jetën 59 persona, ndërsa 155 janë lënduar.
“Fillon aksion në drejtim të kontrollit të të gjitha dokumenteve, të gjitha licencave, të gjitha lejeve për ndërtim, të gjitha lejeve për përdorim, leje për punë dhe jam i bindur se do gjejmë qindra, dhjetëra… Një milimetër po të mungojë do të mbyllen, këtu nuk do të ketë mëshirë për askënd”, tha Mickoski.
Mickoski tha se objekti ku ndodhi zjarri ka pasur licencë të falsifikuar për punë nga data 13 mars 2024, e nënshkruar nga seketarja e atëhershme shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiq Duroviq.