Në fshatin Sllatinë të Tetovës ka nisur zyrtarisht fushata e korrjeve të grurit, me rendimente mbresëlënëse dhe cilësi të lartë të prodhimit. Një nga kultivuesit më të mëdhenj të grurit në rajonin e Pollogut, agronomi Isniriza Xhelili, ka deklaruar se këtë vit rezultatet janë shumë premtuese, falë përgatitjes së mirë agroteknike dhe zgjedhjes së kultivarëve cilësorë.
“Këtë vit në fushat tona në Sllatinë, që unë e quaj me të drejtë ‘Banati i vogël’, kemi kaluar rendimentin prej 700 kg për dekar me varietetin LG, tip C2 – grurë me kualitet të lartë. Çelësi i suksesit ishte agroteknika e saktë dhe ndërhyrja me mbrojtje në fazat e duhura. U bë riplerimi, u ndoq çdo hap”, shprehet Xhelili.
Ai shton se megjithëse çmimi i grurit në treg mbetet qesharak dhe shpesh nuk e justifikon punën dhe investimin e bujkut, prodhimi i bukës nuk mund të neglizhohet.
“Edhe pse çmimi është qesharak, kur është në pyetje buka, nuk ka kompromis – pa ushqim nuk jetohet”, përfundon ai, duke i bërë thirrje institucioneve që të mbështesin më shumë prodhimin vendor të grurit.
Fillimi i korrjeve në Pollog vjen në një kohë kur siguria ushqimore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme dhe çdo hap drejt vetëmbështetjes është më shumë se i mirëseardhur për ekonominë vendore.






