Hendbollistet e Kosovës U18 kanë arritur sukses historik të shtunën në mëngjes.
Ato e kanë shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Chuzhou të Kinës.
Hendbollistet tona kanë dominuar plotësisht ndaj Indisë dhe kanë fituar me rezultat të lartë, 25:14.
Federata e Hendbollit e Kosovës thotë se kjo është hera e parë që një Kombëtare e Kosovës te vajzat, në të gjitha sportet ekipore, është kualifikuar dhe paraqitet në Kampionat Botëror.
“Dhe tani e kemi fitoren e parë, me shpresë për të tjera në fazën e ardhshme të garave”, tha FHK-ja.
FHK-ja shkroi histori edhe në vitin 2019 kur me Kombëtaren U21 të hendbollistëve u paraqit në Kampionat Botëror.
Tani është vetëm hera e dytë që një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore po paraqitet në ngjarjen globale.
“Fitorja e thellë ndaj Indisë pritet të shërbejë si motivim për të tjera rezultate të mira në vazhdim të Botërorit në Kinë”, thotë më tej FHK-ja.
Më tej thuhet se në dy ndeshjet e para, vajzat e Kosovës kishin përballë kombëtare të nivelit më të lartë ndërkombëtar, Brazilin dhe Francën. U pësuan humbje, por FHK thotë se prej fillimit fokusi ishte te fitorja ndaj Indisë.
Tani Kosova U18 vazhdon garimin për plasman nga pozitat prej 17 deri në 32. Do të ketë sërish fazë grupore, ku synohen të tjera fitore.
Kontribut në fitoren historike ndaj Indisë kanë dhënë të gjitha lojtaret. Më efikasja ishte Diona Dreshaj me 7 gola. Pesë i realizoi Arjeta Imeraj e katër Andra Uglani.
Ndeshjen e ardhshme Kombëtarja jonë do ta ketë të dielën (18 gusht). /Klankosova.tv