Tetë medalje për kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik të Boksit që u zhvillua në Loznicë të Serbisë. Dy medalje ari, dy argjendi dhe katër bronzi ishte totali i fituar nga boksierët kuqezi, në tre kategori: për të rritur, për të rinj dhe për juniorë.
Padyshim arritja më e rëndësishme ishte ajo e Alban Beqirit, që fitoi medaljen e artë për të rritur, në peshën deri 71 kilogramë. 30-vjeçari dominoi dhe fitoi përpara kohe ndeshjen finale me kundërshtarin ukrainas Matia Kubov.
Dueli përfundoi në raundin e dytë, me rivalin që nuk arriti të përballonte furinë e grushteve të Beqirit, i cili i shtoi koleksionit të tij një tjetër medalje ballkanike dhe i dhuroi Shqipërisë një tjetër rezultat të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.