Tetovë, 28 Nëntor 2024 – Vullnet Ameti, i cili ka thyer rekord me dhjetëra shkelje ligjore dhe statutare, të denoncuara nga FNA-ja dhe të konstatuara nga Inspektorati i Arsimit, është shpërblyer me postin e pro-Rektorit për shkencë. Për më shumë se një dekadë, Ameti ka shërbyer si Rektor dhe së fundmi si kryetar i Senatit të Universitetit të Tetovës.
Forumi për Ndryshim në Arsim (FNA) ka reaguar ashpër ndaj këtij emërimi, duke theksuar se avancimi i shkelësve recidivist duhet të ndalojë urgjentisht. Sipas FNA, Universiteti i Tetovës, për të cilin është sakrifikuar shumë, nuk duhet të shërbejë si strehë për kriminelët akademikë. Ata bëjnë thirrje që raportet e Inspektoratit të Arsimit të merren seriozisht.
“Vullnet Ameti pati më shumë se një dekadë kohë për të dhënë kontributin e tij për shkencë, por krejt çka dha ishin shkelje ligjore, statutare dhe morale. Koha e tij ka ikur, ndërsa udhëheqësia e këtij universiteti, në vend që t’i përgatisë valixhet, i dha postin e të parit për shkencë,” thuhet në deklaratën e FNA.
FNA përsërit se në Universitetin e Tetovës, problemi nuk janë vetëm shkeljet, por edhe shpërblimi i shkelësve.