Revista Focus.de ka bërë një analizë rreth gjendjes ekonomike në Gjermani dhe mësimeve që mund të marrë Gjermania nga ekonomitë e vendeve të tjera në Evropë.
Në artikull thuhet se ekonomia gjermane është në “në rënie të lirë”. Por duhet theksuar se ka dhe studime të OECD dhe të instituteve që parashikojnë rritje ekonomike të Gjermanisë vitin e ardhshëm dhe më tutje.
Sidoqoftë, artikulli i referohet një raporti të industrisë ku parashikohet një rënie prej dy përqind të prodhimit deri në vitin 2025.
Këshilli i Ekspertëve Ekonomikë parashikon për vitin 2026 një rritje prej 0.9 përqind. OECD parashikon rritje prej 1 përqind.
Por ajo që bjen në sy, është pjesa në artikull për “ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë”, referuar një analize nga ”BestBrokers “ dhe të bazuar në të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë bazuar në Prodhimin e Brendshëm Bruto, artikulli përmend edhe Kosovën, në vendin e katërt me 8.51%.
Ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë (bazuar në rritjen reale të PBB-së që nga viti 2024) janë:
Irlanda: +13.9%
Polonia: +9.72%
Islanda: +9.50%
Kosova: +8.51%
Malta: +8.46%
Republika Çeke: +8.26%
Shqipëria: +8.06%
Maqedonia e Veriut: +7.94%
Suedia: +7.91%
Kroacia: +7.62%
“Dinamikat janë përqendruar kryesisht në ekonomi më të vogla, të orientuara drejt reformave ose në fazën e kapjes së ritmit. Ato shpesh reagojnë më shpejt ndaj trendeve globale, ndryshojnë politikat e tyre të vendndodhjes më shpejt ose përfitojnë nga nxitës specifikë të rritjes, siç janë dixhitalizimi, turizmi ose investimet e huaja direkte”, thekson shkrimi.
Gjermania sipas këtij burimi, mbetet ekonomia më e madhe në Evropë, por shkalla e rritjes së saj është dukshëm më e ulët se ajo e ekonomive më të vogla që i kanë përshtatur më shumë politikat e tyre strukturore vitet e fundit.
Në tekst përmendet edhe Shqipëria, teksa argumentohet se “edhe ekonomitë më të vogla si Islanda, Malta ose Shqipëria, megjithatë, fitojnë pikë me procese të shkurtra vendimmarrëse politike dhe përshtatshmëri të lartë – ekonomitë e tyre të hapura reagojnë më shpejt ndaj trendeve globale”.
/Bahri Cani/










