Trendy

Fotoja e një buqete solli vdekjen: Boksieri turk vret një të ri me një goditje (Video)

Para 2 orë

Në Turqi, prej një viti po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj boksierit 32-vjeçar Kivanç Sensoz, i akuzuar për vrasjen e 29-vjeçarit, floristit Eshref Junus Jildirici, pas një sulmi brutal që tronditi opinionin dhe u kap nga kamerat e sigurisë, përcjell tetova1

Ngjarja ndodhi në fund të vitit 2024 në Antalia, kur Sensoz hyri në dyqanin e luleve të viktimës dhe menjëherë nisi përplasjen. Sipas prokurorisë, ai bërtiste: “Pse po i vjedh punën gruas sime?”, duke iu referuar një fotografie të një buqete të publikuar në rrjetet sociale, që pretendohej se ishte punë e bashkëshortes së tij, Darës, një dizajnere floristike.

 

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se situata eskaloi shpejt, edhe pse viktima u përpoq ta qetësonte. Në një moment, boksieri i dha një goditje të fortë në kokë, duke e rrëzuar Jildiricin në dyshemenë e betonit. Sulmi nuk përfundoi aty – sipas provave, Sensoz vazhdoi ta godiste dhe ta shkelmonte ndërsa ai qëndronte i pafuqishëm.

Dëshmitarët, mes tyre edhe familjarë të viktimës, tentuan të ndërhyjnë dhe ta largojnë sulmuesin, ndërsa në sfond dëgjoheshin britma grash, duke e bërë skenën edhe më dramatike.

Jildirici u dërgua me urgjencë në spitalin shtetëror “Kepez”, por pas shtatë ditësh luftë për jetën, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda – frakturë në kafkë dhe hemorragji në tru, sipas raporteve mjekësore.

Sipas hetimeve, konflikti nisi pasi motra e viktimës publikoi fotografinë e buqetës në rrjetet sociale, gjë që zemëroi bashkëshorten e boksierit. Në vend që situata të zgjidhej në mënyrë paqësore, Sensoz vendosi të përballej personalisht me florist-in, duke përfunduar në tragjedi.

Familja e viktimës kërkon dënimin maksimal. Babai i tij deklaroi se “dëshiron që i akuzuari të marrë dënimin më të rëndë të mundshëm”, ndërsa nëna, mes lotësh, tha se “ia shkatërroi familjen dhe ia vrau djalin e ri”.

Gjykata po shqyrton rastin, ndërsa procesi është shtyrë për të përfshirë prova shtesë, përfshirë edhe regjistrimet telefonike të të akuzuarit.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin turk, duke hapur debat për dhunën, abuzimin me forcën fizike dhe përgjegjësinë e sportistëve, sidomos kur konfliktet përfundojnë me pasoja fatale./tetova1.mk/

VIDEO

Trending