Fronti Evropian dhe Aleanca për Shqiptarët e Taravarit do të garojnë me kandidatë të përbashkët dhe lista të përbashkëta për këshilltarë në zgjedhjet lokale të tetorit. Kjo marrëveshje u konfirmua sot nga nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, i cili theksoi se bashkëpunimi mes koalicioneve është në një fazë të avancuar, transmeton Portalb.mk.
Ai përmendi se marrëveshja mes kryetarit Ahmeti dhe kryetarit Taravari garanton pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale, duke përfshirë kandidaturat dhe listat e këshilltarëve.
“Tashmë ka marrëveshje mes Frontit Evropian, mes kryetarit Ahmeti dhe kryetarit Taravari për pjesëmarrje të përbashkët në këto zgjedhje, kështu që do të kemi edhe kandidatë të përbashkët dhe lista të përbashkëta për këshilltarë”, theksoi Ademi.
Ademi njoftoi gjithashtu se Fronti Evropian do të ketë kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit, ndërsa emri i kandidatit pritet të bëhet i ditur në ditët në vijim. Ai shtoi se emrat e kandidatëve për komunat e tjera gjithashtu do të konfirmohen nga organet partiake dhe ato të koalicionit të gjerë që përbëhet nga BDI dhe partnerët e saj.
“Për Qytetin e Shkupit, BDI dhe koalicioni i gjere të cilin ne e përbëjmë, do të ketë kandidatin e vetë, ka mbetur që emrat e kandidatëve dhe për komunat e tjera, përfshi edhe për Qytetin e Shkupit, që të konfirmohen në organet partiake dhe organet e partive të cilat e përbëjnë koalicionin e gjere”, theksoi Ademi.





