Trendy

Fronti Evropian nuk mbështeti propozim-ndryshimet e Kodit zgjedhor të cilat dështuan për shkak të mungesës së badenterit

Para 8 muaj

Kuvendi nuk arriti të votojë ndryshimet e kodit zgjedhor për të përcaktuar përqindjen e nënshkrimeve të mbledhura për kandidatët e pavarur, edhe pse mblodhi të gjithë deputetët në seancë të jashtëzakonshme. Shumica parlamentare dorëzoi ndryshime të tjera të kodit zgjedhor me çka të pavarurit duhej të mbledhin 0,95% të nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve në komunën prej nga vijnë. Me kërkesë të së “Majtës”, kjo përqindje u ul në 0,5%. Megjithatë, as kjo nuk ishte e pranueshme për opozitën shqiptare. Fronti Evropian nuk mundësoi badenter. Pro votuan vetëm 11 ndërsa 18 deputetë ishin kundër.

Në propozim ishin përfshirë edhe çështje të tjera, si njohja e portaleve si media në Kodin zgjedhor pas ndryshimit të ligjit për media si dhe disa nga rekomandimet e ODIHR-së që kanë të bëjnë me aspekte teknike të numërimit të votave dhe shqyrtimit të ankesave.Nëse nuk rregullohet çështja e këshilltarëve nëpër komuna. Nuk është vetëm Gostivari, është Dibra, Kërçova, Saraji, Likova të gjitha. Ata qytetarë janë të barabartë edhe me ju edhe me mua edhe me të gjithë që jemi në këtë sallë. Prandaj ne jemi këtu si detyrim që të mbrojmë edhe legjitimitetin edhe vullnetin praktik të qytetarëve që janë popullatë e dytë në këtë shtet por edhe etniteteve tjera. Të ketë një përfaqësim real, nuk mundet në mënyrë të njëanshme ju të dirigjoni krejt shtetin, tha Blerim Bexheti – Koordinator i Frontit Evropian.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, shprehet se kërkesat e Frontit nuk kanë të bëjnë fare me ndryshimet e propozuara. Për banorët jo rezident dhe tema të tjera, thotë se do të ulen të flasin pas zgjedhjeve.

Intenca jonë nuk është të hyjmë dhe të ndryshojmë tërësisht kodin zgjedhor i cili ekziston apo një pjesë e së cilës është shfuqizuar nga gjykata kushtetuese. Për këtë shkak thamë, jemi të gatshëm pas zgjedhjeve të ulemi të bëjmë grup punuese nga të gjitha partitë politike, nga të gjitha subjektet relevante dhe të bëjmë një kod të ri zgjedhor i cili do të jetë afatgjatë dhe i qëndrueshëm dhe që do t’i përmbajë të gjitha elementet për të cilat flasim, deklaroi Nikolla Micevski – Koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Dështimi i ndryshimeve të Kodit zgjedhor nënkupton, mes tjerash, që nuk u zgjidh as boshllëku ligjor për rregullimin e pragut të nënshkrimeve të nevojshme për kandidatët e pavarur. Gjykata Kushtetuese muaj më parë shfuqizoi dispozitën e vitit të kaluar që kërkonte që kandidatët e pavarur, në rastin konkret në zgjedhjet lokale, të mbledhin të paktën 1% të nënshkrimeve të regjistruar në listën zgjedhore, në komunën përkatëse. Meqë pragu nuk u rregullua mbetet që KSHZ-ja nëpërmjet rregulloreve të vendosë se çfarë procedure do të jetë e pranueshme që kandidaturat e kandidatëve të pavarur të zyrtarizohen.

Pavarësisht se problemi është prej muajsh, nuk është e jashtëzakonshme që Kuvendi të ndryshojë Kodin zgjedhor gjithmonë vetëm pak javë ose në disa raste, pak ditë para zgjedhjeve. /alsat.mk

Trending